AKTUALITET, 24 August 2026, 13:47

Si kanë ndryshuar pensionet ndër vite? Në 5 vjet, 28 euro më shumë për qytetin dhe 25 euro për fshatin

Skema e pensioneve po përballet me një presion më të lartë si për nga numri i pensionistëve por edhe nga nevoja e vazhdueshme për rritjen e masës së pensionit në mënyrë që të jetë në sinkron me ndryshimet në koston e jetesës

Referuar të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, numri i pensionistëve urbane të pleqërisë ka arritur në 562,924 në fund të vitit 2025 dhe numri i pensionistëve rurale në 78,161, duke e çuar shifrën totale ne 641,085 pensionistë në të gjithë Shqipërinë. E thënë ndryshe, skemës i janë shtuar afro 33.518 përfitues të moshuar në raport me vitin 2024.

Por si ka ndryshuar niveli mesatar i pensioneve ndër vite? Të dhënat zyrtare të ISSH-së, tregojnë një rritje graduale të mbështetjes financiare për moshën e tretë në 5 vitet e fundit.

Konkretisht nga 17.258 lekë që rezultonte pensioni mesatar mujor urban në vitin 2021,  rritja ka qenë në mënyre progresive duke arritur në 20.123 lekë, ose e thënë ndryshe 2,865 lekë në 5 vjet apo afro 28 euro.

Ndërkohë të ardhurat mesatare mujore të pensionistëve kanë kapërcyer nga 18.485 lekë në vitin 2021 në 21.153 lekë në vitin 2025, më një rritje prej 2,668 lekësh apo afro 26 euro.

Ndërsa masa e pensionit mesatar rural ka lëvizur nga 9,295 lekë që rezultonte në vitin 2021 në 11,878 lekë në vitin 2025, me një rritje prej 2583 lekë apo rreth 25 euro.

Të ardhurat mesatare mujore për pensionistët ruralë janë rritur nga 9,834 lekë që rezultonin në vitin 2021 në 12,438 lekë  në vitin 2025,  rreth 2,604 lekë më shumë apo afro 26 euro.

Qarku me numrin më të lartë të pensionistëve është Tirana me, kjo edhe për shkak se ka numrin më të lartë të popullsisë në shkallë vendi, duke regjistruar dukshëm një kapërcim me qarqet e tjera.

Qarku me numrin më të ulët të pensionistëve urbanë është Kukësi.