BOTA, 9 November 2026, 18:33

Rreth 400 mijë rusë të vrarë në luftën në Ukrainë? Hakerët zbulojnë të dhënat sekrete të Moskës!

Rreth 400 mijë rusë të vrarë në luftën në

Rreth 400 mijë qytetarë rusë dyshohet se kanë humbur jetën në luftën në Ukrainë që prej nisjes së pushtimit në shkurt të vitit 2022. Shifrat tronditëse dalin nga të dhëna konfidenciale të agjencisë ruse të statistikave, Rosstat, të siguruara nga grupi bjellorus Cyber Partisans dhe grupi ukrainas Silent Crow, sipas një raportimi të Bloomberg.

Hakerët pretendojnë se kanë vjedhur rreth 23 terabajt të dhëna, përfshirë më shumë se 11 milionë certifikata vdekjeje. Sipas përllogaritjeve të grupit bjellorus, deri më 27 gusht 2026 ishin vrarë të paktën 393.881 rusë, ndërsa grupi ukrainas e çon numrin në 450.100, duke përfshirë edhe kategori të tjera vdekjesh.

Rusia nuk publikon statistika zyrtare për humbjet e saj ushtarake që prej shtatorit 2022, duke e bërë të vështirë përcaktimin e numrit real të viktimave. Ndërkohë, BBC Russian dhe Mediazona kanë identifikuar me emër rreth 286 mijë ushtarë rusë të vrarë deri më 8 nëntor. Megjithatë, të dhënat e siguruara nga hakerët nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Ukraina pretendon për gati 3 mijë humbje ruse në 24 orë

Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm ukrainas pretendon se Rusia ka humbur 2.980 ushtarë, të vrarë ose të plagosur, vetëm gjatë 24 orëve të fundit. Nëse konfirmohet, kjo do të përbënte shifrën më të lartë ditore që nga fillimi i luftës.

Sipas përllogaritjeve të Kievit, humbjet totale ruse, mes të vrarëve dhe të plagosurve, kanë kaluar 1.6 milionë që prej nisjes së pushtimit.

Negociatat për paqe në Abu Dhabi, Kushner kërkon përfshirjen e Europës

Në planin diplomatik, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, ka kërkuar kontakte të drejtpërdrejta mes Rusisë dhe Europës, me synimin për të arritur një paqe të qëndrueshme në Ukrainë.

Në prag të negociatave trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së në Abu Dhabi, Kushner njoftoi se do të takohet edhe me përfaqësues të Bashkimit Europian, NATO-s, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Italisë.

Delegacioni rus është nisur drejt Abu Dhabit, ku Moska do të përfaqësohet nga këshilltari presidencial Vladimir Medinsky, dy zëvendësministra të Jashtëm dhe përfaqësues të ushtrisë.

Nga ana tjetër, kryenegociatori ukrainas Rustem Umerov bëri të ditur se delegacioni i Kievit do të zhvillojë takime të veçanta koordinimi me përfaqësuesit europianë dhe NATO-n.

Megjithatë, Kremlini ka përjashtuar pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të vendeve europiane në tryezën e negociatave.

“Në Abu Dhabi do të zhvillohen negociata trepalëshe mes Rusisë dhe Ukrainës, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke sqaruar se amerikanët dhe ukrainasit kanë kanalet e tyre të komunikimit me Europën.

Kështu, ndërsa shifrat e humbjeve njerëzore vazhdojnë të rriten dhe mbeten objekt debatesh, negociatat në Abu Dhabi shihen si një tjetër përpjekje diplomatike për t'i dhënë fund luftës.