BOTA, 8 November 2026, 20:06

Irani me dorë të hekurt, ekzekuton tre persona pse morën pjesë në protestat kundër qeverisë

Irani me dorë të hekurt, ekzekuton tre persona pse morën

Irani ka ekzekutuar tre burra të akuzuar për përfshirje në trazirat e armatosura gjatë protestave antiqeveritare të muajit janar. Mediat shtetërore iraniane raportojnë se Hassan Dioband, Hamid Kazemi dhe Reza Zanganeh u varën, pasi Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e fajësisë ndaj tyre.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Tasnim, tre të ekzekutuarit akuzoheshin se kishin hedhur bomba molotov dhe granata, kishin përdorur armë zjarri dhe armë të ftohta, si dhe kishin djegur objekte publike në qytetin e Karajt, në perëndim të Teheranit.

Autoritetet iraniane pretenduan se të tre kishin marrë pjesë në aktivitete operative në emër të Izraelit, Shteteve të Bashkuara dhe grupeve të cilësuara si armiqësore. Mes objekteve të dëmtuara raportohet edhe një nënstacion elektrik në Karaj, ku sulmi shkaktoi ndërprerje të energjisë në disa zona.

Dioband ishte arrestuar më 11 janar, pasi hetimet e autoriteteve e kishin identifikuar si të dyshuar për sulme ndaj pronës publike dhe nxitje të dhunës. Më vonë, dhjetë persona të tjerë, të akuzuar se kishin marrë pjesë në trazirat nën drejtimin e tij, u arrestuan gjithashtu. Sipas Reuters, ata u dënuan me burgime nga pesë deri në dhjetë vjet.

 

Ekzekutimet e fundit vijnë në vazhdën e një serie dënimesh me vdekje të lidhura me protestat, përfshirë persona të akuzuar për lidhje me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara.

Lëvizja protestuese në Iran nisi në dhjetor të vitit të kaluar, fillimisht për shkak të rritjes së kostos së jetesës, por shumë shpejt u shndërrua në demonstrata të gjera kundër regjimit. Protestat arritën kulmin më 8 dhe 9 janar.

Autoritetet iraniane raportuan më shumë se 3 mijë viktima dhe ia atribuuan dhunën, siç pretenduan, akteve terroriste të organizuara nga SHBA-të dhe Izraeli. Megjithatë, organizatat joqeveritare me bazë jashtë Iranit kanë raportuar shifra më të larta, ndërsa BBC ka publikuar dëshmi të qytetarëve iranianë, sipas të cilëve forcat e sigurisë kanë qëlluar ndaj protestuesve të paarmatosur.

Ndërkohë, numri i ekzekutimeve në Iran është rritur që prej nisjes së sulmeve amerikano-izraelite ndaj Republikës Islamike në fund të shkurtit.

Në gusht, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, shprehu shqetësimin për rritjen e përdorimit të dënimit me vdekje. Ai deklaroi se të paktën 56 persona ishin ekzekutuar për akuza që lidhen me sigurinë kombëtare që prej 19 marsit, mes tyre 27 raste të lidhura me protestat mbarëkombëtare të janarit.

Irani konsiderohet vendi i dytë në botë për numrin e ekzekutimeve, pas Kinës. Sipas Amnesty International, gjatë vitit të kaluar autoritetet iraniane ekzekutuan të paktën 2,159 persona, shifra më e lartë e regjistruar nga organizata që prej vitit 1981. Mes tyre ishin edhe 45 persona të dënuar për akuza që lidheshin me sigurinë kombëtare dhe dyshime për disidencë politike.