BOTA, 9 November 2026, 11:25

Media amerikane: Rubio e kishte paralajmëruar Trumpin përmes një memoje sekrete për marrëdhënien e CEO-s së Nvidia-s me një spiune kineze

Media amerikane: Rubio e kishte paralajmëruar Trumpin përmes një

Përfshirjen e sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio , në çështjen e spiunazhit që ka shkaktuar tronditje në kompaninë Nvidia, e zbulon gazeta The New York Times.

Sipas gazetës, Rubio mbikëqyri pranverën e kaluar hartimin e një memorandumi tepër sekret, përmes të cilit zyrtarë të lartë të administratës së Trumpit informoheshin se drejtori ekzekutiv i gjigantit teknologjik, Jensen Huang, kishte një marrëdhënie të ngushtë me një grua, të cilën shërbimet amerikane të inteligjencës e konsideronin spiune të Kinës.

Zbulimi, i bazuar në dëshmitë e disa personave që kanë dijeni për çështjen, tregon se shqetësimet për marrëdhënien e Huang me Alice Huang kishin mbërritur që herët në nivelet më të larta të qeverisë amerikane, në një kohë kur drejtuesi i Nvidia-s vazhdonte të ushtronte ndikim të konsiderueshëm te Donald Trump për çështjet e politikave që lidhen me inteligjencën artificiale.

Memorandumi sekret dhe informacionet e siguruara nga përgjimet

Sipas The New York Times, memorandumi i hartuar nën mbikëqyrjen e Rubios bazohej në informacione të klasifikuara, të mbledhura përmes përgjimeve elektronike ndaj Alice Huang.

Shtetasja kineze ishte një drejtuese e lartë e një kompanie me seli në Singapor, e cila blinte procesorë të avancuar të inteligjencës artificiale nga Nvidia dhe ishte nën hetim për dyshimet mbi transferimin e paligjshëm të tyre drejt Kinës.

 
Autoritetet amerikane kishin arritur në përfundimin se gruaja, e cila pavarësisht mbiemrit të njëjtë nuk ka lidhje familjare me drejtuesin e Nvidia-s, kishte një marrëdhënie të ngushtë personale me të dhe ishte rekrutuar për spiunazh nga Ministria e Sigurisë Shtetërore e Kinës, shërbimi kryesor i inteligjencës së këtij vendi.

Përfshirja e Marco Rubios në procesin e informimit të qeverisë nuk ishte bërë e ditur deri më tani. Fakti që vetë sekretari amerikan i Shtetit mbikëqyri hartimin e dokumentit tregon seriozitetin me të cilin zyrtarët më të lartë të administratës amerikane e trajtonin këtë çështje.

Vizita e Trumpit në Kinë dhe përjashtimi i Huang nga delegacioni fillestar

Memorandumi i Rubios iu shpërnda zyrtarëve të qeverisë me nivel të lartë aksesi në informacionet e klasifikuara, përpara vizitës së Donald Trumpit në Kinë, në majin e kaluar.

Burimet e The New York Times, të cilat folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së informacionit, thanë se Jensen Huang fillimisht nuk ishte përfshirë në listën e biznesmenëve dhe drejtuesve të rëndësishëm të teknologjisë, të ftuar për të shoqëruar presidentin amerikan.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse përjashtimi i tij fillestar kishte lidhje me memorandumin sekret.

Në atë periudhë, disa zyrtarë të administratës shprehnin shqetësime për ndikimin që Huang ushtronte te Trump, veçanërisht lidhur me vendimin e qeverisë për të mbajtur relativisht të kufizuar kuadrin rregullator për inteligjencën artificiale.

Kur Trump pa lajmet për mungesën e drejtuesit të Nvidia-s në delegacion, i kërkoi atij t’i bashkohej udhëtimit. Huang u takua me avionin presidencial Air Force One gjatë një ndalese në Alaskë.

Madje, presidenti amerikan kishte përgatitur një postim në rrjetet sociale, ku shkruante se ishte i nderuar të udhëtonte së bashku me «Jensen Huangun e madh» dhe biznesmenë të tjerë drejt «vendit të madh të Kinës».

Në të njëjtin postim, ai theksonte se do t’i kërkonte presidentit Xi Jinping, të cilin e cilësonte si një «udhëheqës me prestigj të jashtëzakonshëm», që ta «hapte» Kinën, në mënyrë që këta «njerëz të shkëlqyer të mund të bënin mrekullitë e tyre».

Trump ishte informuar rreth një vit më parë

The New York Times kishte zbuluar muajin e kaluar se Donald Trump ishte informuar për këtë çështje rreth një vit më parë.

Shërbimet amerikane të inteligjencës dispononin të dhëna të siguruara përmes përgjimeve elektronike ndaj Alice Huang dhe dyshonin se ajo punonte për shërbimet sekrete kineze.

Nga përgjimet ishte zbuluar se ajo mbante një marrëdhënie të ngushtë me një shtetas amerikan. Kur zyrtarët përgjegjës kërkuan të zbulohej identiteti i tij, pasi emrat e shtetasve amerikanë zakonisht mbrohen në të dhënat e mbledhura përmes përgjimit të shtetasve të huaj, u konstatua se bëhej fjalë për drejtorin ekzekutiv të Nvidia-s.

Në atë kohë, Trump zgjodhi të mos ndërmerrte asnjë veprim.

Sipas artikullit, presidenti amerikan i konsideron procesorët e Nvidia-s si vendimtarë për konkurrencën e Shteteve të Bashkuara me Kinën në fushën e inteligjencës artificiale.

Njëkohësisht, ai e sheh suksesin e kompanisë si një faktor kyç për ruajtjen e ritmit të rritjes së tregut amerikan të aksioneve.

Pranimi i marrëdhënies jashtëmartesore dhe reagimi i Trumpit

Të dielën, Nvidia njoftoi se do të nisë një hetim të brendshëm për këtë çështje, pasi Jensen Huang pranoi se kishte pasur një marrëdhënie intime me Alice Huang.

Megjithatë, kompania sqaroi se «nuk ka asnjë arsye të besojë se është vënë në rrezik siguria kombëtare apo informacioni konfidencial i Nvidia-s».

Në një mesazh drejtuar punonjësve, drejtuesi i kompanisë kërkoi falje për sjelljen e tij.

«E tradhtova bashkëshorten time. Veprimet e mia e lënduan atë dhe fëmijët tanë. Nuk ka asnjë justifikim për atë që bëra. Më vjen thellësisht keq», deklaroi ai.

Po atë mbrëmje, gazetarët e pyetën Donald Trumpin nëse, pas pranimit të Huangut, ishte penduar që nuk kishte ndërmarrë veprime kur ishte informuar për të dhënat e shërbimeve të sigurisë.

«Jo, nuk mendoj kështu», u përgjigj ai.

Lidhjet e Alice Huang me industrinë e gjysmëpërçuesve

Sipas personave që e njohin, Alice Huang flet shumë mirë anglisht dhe ka krijuar marrëdhënie me drejtues të lartë të industrisë së procesorëve të inteligjencës artificiale.

Mes kontakteve të saj përfshihen Jensen Huang, por edhe drejtues të kompanisë Gigabyte, një prej kompanive më të mëdha në montimin e sistemeve të superkompjuterëve që përdorin teknologjinë e Nvidia-s.

Nuk është përcaktuar ende se kur ajo është njohur për herë të parë me drejtuesin e Nvidia-s.

Në vitin 2024, afërsisht në periudhën kur të dy u fotografuan së bashku me drejtues të tjerë të sektorit në një bar në Taipei, kompania Megaspeed, ku ajo punonte, nisi të kryente blerje të mikroprocesorëve të avancuar të inteligjencës artificiale, me vlerë totale prej disa miliardë dollarësh.

Drejtues të Nvidia-s kanë argumentuar se kontaktet e Huangut me Alice Huang «nuk ishin as të pazakonta dhe as të papritura», por ishin pjesë e takimeve profesionale që ai zhvillon me klientët e kompanisë.

Nvidia ka theksuar gjithashtu se klientët, si Megaspeed, nuk kanë akses në informacionet konfidenciale të biznesit të saj.

Blerjet prej 2 miliardë dollarësh dhe dyshimet për kontrabandë drejt Kinës

Megaspeed, pavarësisht se kishte në Singapor praktikisht vetëm një zyrë të vogël me prani të kufizuar lokale, kishte blerë gjatë viteve të fundit produkte të Nvidia-s me vlerë prej 2 miliardë dollarësh.

Kompania ndërton qendra të të dhënave në Azinë Juglindore, kapacitetet kompjuterike të të cilave jepen me qira për gjigantin kinez të teknologjisë Alibaba.

Megjithatë, autoritetet amerikane dyshojnë se Megaspeed ka ndihmuar në transferimin e paligjshëm të procesorëve të avancuar të Nvidia-s drejt Kinës, në kundërshtim me kufizimet amerikane për eksportin e këtyre teknologjive.

Media amerikane: Rubio e kishte paralajmëruar Trumpin përmes një