AKTUALITET, 9 October 2026, 09:45

Reforma territoriale u miratua në Kuvend me 85 vota, edhe Braçe pro: Do e sqaroj pse!

Reforma territoriale u miratua në Kuvend me 85 vota, edhe Braçe pro:

Mes tensioneve, përplasjeve dhe një debati maratonë prej 14 orësh, Kuvendi miratoi pak pas mesnate reformën e re administrativo-territoriale. Me 85 vota pro, socialistët i hapën rrugën hartës së re të Shqipërisë me 46 bashki, 11 vite pas ndarjes së fundit.

I pranishëm në seancë vetëm për të marrë pjesë në votim ishte edhe kryeminstri Edi Rama. Por surpriza ishte vota pro e deputetit socialist Erion Braçe, i cili kundërshtoi ashpër projektligjin.

Një nga zërat më kritikë ndaj reformës ishte Erion Braçe. Për rreth 19 minuta në foltore, deputeti socialist kundërshtoi mënyrën se si ishte hartuar ndarja e re, duke theksuar se ndryshimet prekin drejtpërdrejt jetën e mijëra qytetarëve.

“Unë mendoj se qëndrueshmëria e reformave vjen nga parimet. Parimet janë shkelur, nuk janë respektuar njësoj kudo në këtë hartë. Ne me këtë ligj sot ndryshojmë jetën e njerëzve në 15 bashki. Madje ndryshojmë jetën e njerëzve edhe në bashkitë e tjera që ato po i përthithin”, tha Braçe.

Pavarësisht kundërshtimeve, Braçe në fund ngriti kartonin jeshil. Pas seancës, ai u tha gazetarëve se arsyet e ndryshimit të qëndrimit do t'i shpjegonte gjatë ditës së premte.

“Jam kundër, do e sqaroj nesër”, tha Braçe teksa po largohej nga Kuvendi.

Braçe kishte shprehur kritika edhe në mbledhjen e grupit të PS, ku ishte përplasur ashpër me kryeministrin Edi Rama, i cili e kishte paralajmëruar se nëse do të votojë kundër, do të largohej nga grupi. Qëndrim ndryshoi deputeti socialist Vullnet Sinaj, i cili po ashtu ngriti kartonin jeshil në seancë.