TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Vendimi i magjistratëve të Hagës për të vulosur 81 vite burg në total për katërshen e UÇK-së ka shkaktuar irritim dhe dhjetëra reagime nga figura të njohura të politikës e jo vetëm.
Pas reagimit të kryeministrit Rama, i cili kundërshtoi haptazi vendimin e Hagës për të cilën theksoi se është marre për të dërguar prapa hekurave çlirimtarët e Kosovës, dy socialistë të tjerë kanë reaguar kundër këtij vendim.
Taulant Balla dhe Erion Braçe kanë shkruar se asnjë lloj vendimi nuk e zhbën dot historinë e Kosovës, për lirinë e të cilës luftuan pikërisht personat që sot u dërguan prapa hekurave. Dyshja socialiste bën thirrje që shqiptarët të ngrenë zërin kundër këtij vendimi dhe të mos lejohet njollosja e Kosovës.
“KY VENDIM SOT NUK ËSHTË DREJTËSI! NUK ÇBËHET DOT HISTORIA E LAVDISHME E UÇK KËSHTU! PADREJTËSI! Shqiptarët duhet të mbrojnë UÇK. Duhet të mbrojmë lirinë dhe çlirimtarët nga ky vendim i padrejtë! Duhet të gjejmë të gjitha rrugët juridiko-ligjore të çbërjes së këtij vendimi, sepse duhet të mbrojmë me çdo kusht identitetin tonë si komb”, shkruan Taulant Balla në reagimin e bërë vetëm pak minuta pas shpalljes së vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ashpër pas dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë. Ai e cilësoi vendimin si një përpjekje për të njollosur luftën çlirimtare, ndërsa kërkoi që Shqipëria dhe Kosova të ndërmarrin veprime ligjore kundër tij. Sipas Braçes, kjo nuk është më vetëm çështje e katër ish-drejtuesve të UÇK-së, por e çdo shqiptari.
“Në emër të popullit të Kosovës, një gjykatë bëri pis e ndyu luftën e shqiptarëve të Kosovës e Shqipërisë për liri e pavarësi, nder, dinjitet e jetë në paqe në trojet e tyre! Organizimi i popullit jo për të sulmuar kënd, por për t’u mbrojtur, për të mbrojtur vendin e pushtuar, lirinë e hequr dhunshëm, nderin e dinjitetin e marrë prej shtypjes, arrestimit, torturimit, përdhunimit të djemve e burrave, vajzave e grave, vrasjes, pra organizuar si UÇK, u quajt ndërmarrje kriminale!!!!
Domethënë, këta 4 burra, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, u vunë nën akuzë për krime kundër njerëzimit, u arrestuan për krime të tilla, u gjykuan për krime të tilla, por edhe kjo gjykatë nuk mundi t’i dënojë për to, nuk ka pasur kurrë krime të tilla! Shqiptarët, sa ka jetë mbi tokë, nuk kanë kryer krime të tilla, kurrë! Pas këtij vendimi, Shqipëria, e ndotur masivisht nga ky proces dhe ky vendim, duhet të ndërmarrë veprime ligjore të qarta kundër tij, për të pastruar emrin e saj, emrin e çdo shqiptari në ato dy rrethet e veriut që shquhen si vende krimesh në këtë vendim; duhet ta bëjë me shpejtësi kundër këtij vendimi të poshtër!
Kosova nuk ka nevojë për mendjen time, por dhe ajo duhet të ndërmarrë veprime ligjore në Kosovë mbi të gjitha dhe kudo, kundër një gjykate që në emër të popullit të Kosovës bën pis e ndyn një vend, një popull; kjo nuk është më çështje e katër burrave që luftuan për liri, të bërë fajtorë për krime lufte që nuk i kanë bërë kurrë, vrasjen e 96 personave konkretisht, por është çështje e një populli të shpallur fajtor pse iu përgjigj me luftë agresorit, pushtuesit! Tani është çështje shqiptare, e çdo shqiptari”, shkruan Braçe.
Pas socialistëve, reagimi i radhës nga politika shqiptare ka ardhur nga presidenti Bajram Begaj i cili bën thirrje që të apelohet vendimi.
“Trishtim i thellë për vendimin e sotëm. Vendosmëria për të apeluar vendimin është shenjë e fortë integriteti dhe qëndrueshmërie. Për shqiptarët, askush dhe asgjë nuk njollos UÇK-në! Liria ka emër!” shkruan Begaj .
I zhgënjyer nga vendimi i Hagës ka reaguar dhe miliarderi shqiptar Behgjet Pacolli i cili përmes një postimi të bërë mesditën e sotme në Facebook shkruan se kjo është një ditë e rëndë për familjarët e çlirimtarëve të Kosovës dhe të gjithë shqiptarët. Më tej Pacolli shpreh solidaritetin e tij për katër familjet të cilave iu thellua plaga e hapur para gjashtë vitesh, nga momenti kur ish-krerët e UÇK-së u dërguan në paraburgim.
“Zhgënjyese, e padrejtë e papranueshme, e dhimëshme e trishtueshme! Sot është një ditë e rëndë për Kosovën, për familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për miqtët e për gjithë ne. Në këtë moment të vështirë, shpreh solidaritetin tim të sinqertë me familjet e tyre. Respektojmë procesin e drejtësisë dhe njëkohësisht besojmë në të drejtën e secilit për të kërkuar drejtësi deri në fund përmes ankimimit. Qëndroni të fortë. Dhimbja juaj ndahet me ne dhe nga miljona njerëz. ????????
Përballë kësaj sfide, lufta për drejtësi duhet të përqendrohet tani në procesin e ankimit dhe në kundërshtimin e vendosur të kësaj padrejtësie” shkruhet në reagimin e bërë nga Behgjet Pacolli.
Reagime të ashpra kanë ardhur dhe nga politikanët e Kosovës, në mesin e të cilëve deri më tani Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka qëndruar në të njëjtën linjë me personat e sipërpërmendur, pasi kundërshton vendimin e Hagës.
Po ashtu, dhe Haxhiu i bashkohet mendimit se vendimi i duhur për këtë situatë do të ishte ankimi i vendimit.
“Aktgjykimi i sotëm dhe dënimet e shqiptuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit janë një goditje e rëndë për familjet e tyre, një lajm thellësisht tronditës për Republikën e Kosovës dhe një çast i rëndë për kombin shqiptar kudo që jeton.
Në një ditë si kjo, pesha e këtij vendimi nuk mund të ndahet nga historia prej së cilës kemi ardhur. Kosova e ka përjetuar mbi vete dhunën e një aparati shtetëror që vrau civilë, kreu masakra, dëboi qindra mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre dhe la pas mijëra të vrarë e të zhdukur. Kjo përvojë është pjesë e pashlyeshme e kujtesës së Kosovës dhe të kombit shqiptar.
Mendimet e mia janë, para së gjithash, me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Prej vitesh ato mbajnë barrën e mungesës, pritjes dhe pasigurisë. Dënimet e sotme e bëjnë këtë barrë edhe më të rëndë. Atyre ua përcjell nga Kosova një porosi, qëndroni të fortë, Kosova është me ju. Fjala e fundit juridike nuk është thënë. E drejta e ankimit është pjesë e procesit dhe duhet të ushtrohet plotësisht.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte çlirimtare. Ajo lindi përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë natyrën e asaj lufte dhe as të zhbëjë të drejtën e një populli për të luftuar për lirinë e vet. Respekti për drejtësinë nuk nënkupton heshtje përballë çdo përpjekjeje për ta shtrembëruar historinë. Nuk duhet lejuar që dënimet e sotme të përdoren për të relativizuar krimet e regjimit të Serbisë, për ta zvogëluar përgjegjësinë për to apo për të krijuar një narrativë të rreme.
Këtë qartësi e presim edhe nga miqtë dhe aleatët tanë. Sot na duhet qetësi, dinjitet dhe bashkim. Dhimbja e kësaj dite nuk duhet të na ndajë. Republika e Kosovës do ta përballojë edhe këtë sprovë duke i qëndruar besnike drejtësisë, lirisë dhe së vërtetës së saj. Sepse aktgjykimet nuk mund ta gjykojnë historinë e një populli as nuk mund ta rishkruajnë atë.”, shkruan Haxhiu në reagimin e saj.
