AKTUALITET, 10 Nëntor 2017, 19:53

Rasti "Miri", ja kush janë gjyqtarët e arrestuar për korrupsion në Shqipëri

Rasti "Miri", ja kush janë gjyqtarët e arrestuar për

Shkëlqim Miri nuk është gjyqtari i parë shqiptar që arrestohet apo akuzohet për korrupsion.

Janë disa të tillë të proceduar për korrupsion gjatë viteve të fundit.

Lista nuk është e vogël, po të kemi parasysh figurën dhe misionin që mbart një gjyqtar.

Nëni 26 i Statusit të Gjyqtarëve thotë: “Gjyqtarët gëzojnë imunitet. Gjyqtarët e shkallës së parë dhe të apelit mund të ndiqen penalisht vetëm me miratim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjyqtari mund të ndalohet ose të arrestohet vetëm në qoftë se kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij”.

Gjyqtarët e proceduar për korrupsion gjatë këtyre viteve janë disa.

Në tetor 2008, Prokuroria kërkoi ndalimin e gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, Vesel Bako, i cili dyshohej për korrupsion.

Rasim Doda, gjyqtar i Sarandës, u arrestua dhe u dënua nga Krimet e Rënda me 4 vjet e 6 muaj burg për marrje ryshfeti prej 80 mijë eurosh, por më pas Gjykata e Apelit e shpalli të pafajshëm.

Gjyqtarja e Lezhës, Parashqevi Ademi u akuzua për marrjen e 200 mijë lekë të reja pas denoncimit të një qytetareje në emisionin “Fiks Fare” të “Top Channel”.

Qani Hasa, gjyqtari i Elbasanit, u akuzua për korrupsion, por që me pas dosja e tij u mbyll në gjykatë. Ai u dënua për fshehje të pasurisë.

Shtjefën Lleshi, kryegjyqtari i Pukës, tashmë rezulton i dënuar me 3 vjet burg. Vendimi ndaj tij u morr në muajin dhjetor të 2014 e “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve…” kryer kjo në bashkëpunim.

Gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Marsela Balili u akuzua për korrupsion dhe morr e pandehur ( për të dhënë një masë dënimi më të ulët për të pandehurin B.B.). Më pas fitoi pafajësinë në gjykatë.

Ibrahim Hoxha u arrestua bashkë me djalin e tij në kushtet e flagrancës (maj 2016) pasi ishin duke marrë 6 milionë lekë për një çështje pronësie që anëtari i Gjykatës së Tiranës kishte në dorë.

Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë,  Majlinda Andrea, u akuzua për korrupsion pasiv. Ajo u vu nën akuzë pas një hetimit të nisur nga prokuroria e krimeve të rënda për një ryshfet prej 50 mijë eurosh. Për pak kohë ajo ishte në kërkim, përpara se t’i dorëzohej drejtësisë.

Janë të famshme, SMS-të erotike të gjyqtarit të Beratit, Shyqyri Çobo, i akuzuar më pas për korrupsion pasiv në korrik të vitit të kaluar.

TPZ.AL