AKTUALITET, 16 September 2026, 20:51

Qeveria miraton vendimet e reja/ 17 ushtarakë shqiptarë dhe një helikopter do t’i bashkohen KFOR-it në Kosovë

Këshilli i Ministrave ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës, ku ka miratuar një sërë vendimesh, mes tyre edhe projektligjin për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj.

Një nga vendimet e miratuara lidhet me angazhimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në misionin KFOR në Kosovë. Në kuadër të këtij angazhimi, në mision do të dërgohet një kontingjent prej 17 ushtarakësh dhe një helikopter.

Qeveria miratoi gjithashtu një shtesë në vendimin e vitit 2020, i cili përcakton dokumentacionin dhe rregullat e hollësishme për evidentimin e ndërtimeve pa leje.

Në mbledhje u miratua edhe dhënia e mendimit të Kuvendit për një projektligj joqeveritar, që parashikon ndryshime në ligjin “Për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri”.

Një tjetër vendim i miratuar lidhet me ndryshimet në rregulloren për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punëmarrësve nga risqet e lidhura me ekspozimin ndaj agjentëve biologjikë në vendin e punës.

Në mbledhjen e sotme u miratua edhe emërimi i Mario Keputës në detyrën e zëvendësministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit.

Këshilli i Ministrave miratoi gjithashtu projektligjin “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”.

Projektligji përcakton rregullat për krijimin, administrimin, depozitimin dhe përdorimin e rezervave të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj.

Sipas objektit të projektligjit, masat synojnë të garantojnë një nivel të lartë të sigurisë së furnizimit me naftë në Republikën e Shqipërisë.