AKTUALITET, 16 September 2026, 14:12

Berisha apel demokratëve të distancuar: Ata që e shihnin vizën time amerikane si pengesë, i ftoj të rikthehen te partia! Nuk them për ata që janë aksionerë të qeverisë

Berisha apel demokratëve të distancuar: Ata që e shihnin

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë thirrje për bashkim brenda opozitës, duke iu drejtuar demokratëve që janë distancuar nga partia.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, Berisha tha se udhëtimi i tij në SHBA duhet të shërbejë edhe si një apel për ata demokratë që e kanë konsideruar ndalimin e vizës së tij si një pengesë për t’u bashkuar me PD-në.

Berisha tha se ftesa nuk u drejtohet atyre që kanë interesa me qeverinë, por demokratëve që janë larguar nga partia për shkak të qëndrimeve apo mospajtimeve politike.

“Ky udhëtim imi duhet dhe shpresoj të shërbejë edhe një si apel bashkimi për të gjithë ata demokratë dhe demokrate që deri më sot kanë konsideruar ndalimin e vizës për Sali Berishën si një pengesë për tu bashkuar me ne. Unë i ftoj ata të kthehen tek kontributet e tyre.  Nuk e kam fjalën për aksionerët me qeverinë, se ata nuk i lënë aksionet e tyre. Por e kam fjalën për shumë të tjerë që për mendimin e tyre janë distancuar nga partia, nga udhëheqja e saj. Është një moment që ti ftoj me shumë sinqeritet dhe përzemërsi. Ju ftoj edhe ju të gjithëve që  këtë qëndrim të mbajmë që këta zonja dhe zotërinj që janë opozitarë të rikthehen tek investimi i tyre dhe partia e tyre”, tha kreu i PD.