TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se punimet në aksin rrugor Elbasan–Qafë Thanë po vijojnë me ritme të larta, ndërsa ndau në rrjetet sociale pamje nga ecuria e këtij investimi.
Rama e cilësoi projektin si një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore në vend, duke theksuar se përfundimi i tij do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e lëvizjes së automjeteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.
“Ky projekt do të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin, do të rrisë sigurinë rrugore dhe do të krijojë më shumë mundësi për zhvillimin ekonomik e turistik të zonave që lidhen përmes këtij aksi”, u shpreh Kryeministri.
Sipas Ramës, investimi është pjesë e programit për modernizimin e infrastrukturës kombëtare dhe zhvillimin e rrjetit rrugor në përputhje me objektivat e Shqipërisë 2030.
“Vijojmë me punët e Shqipërisë, me infrastrukturë moderne dhe funksionale, që i përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe vizionit për Shqipërinë 2030”, tha Rama.
I gjithë projekti Elbasan–Qafë Thanë, 50.12 km i gjatë, është një nga më të rëndësishmit në vend, me itinerar Durrës–Elbasan – Librazhd–Qafë Thanë, për të vazhduar më tej me lidhjen e Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.
Korridori VIII është një nga akset rrugore më të rëndësishme për Republikën e Shqipërisë, pasi është një korridor që lidh Shqipërinë edhe me vendet e tjera të rajonit.