TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Me mijëra dhoma private, apartamente, bujtina apo vila, jepen me qira përmes platformave digjitale si Booking apo AirBnB etj, sidomos përgjatë sezonit veror dhe jo vetëm. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre pronave janë individuale dhe të ardhurat që përfitohen prej tyre nuk deklarohen realisht. Njëjtë si dhënia me qira e pronave, funksionon edhe qiradhënia e mjeteve të transportit apo shitja e mallrave, ku verifikimi i të ardhurave është i vështirë, e për pasojë edhe shmangia nga detyrimet tatimore është e lartë.
Qeveria synon t’i japë fund ‘evazionit në ekonominë digjitale’, përmes një projektligji të hartuar nga Ministria e Financave “Për Shkëmbimin Automatik të Informacionit nga Operatorët e Platformave Digjitale”. “Zhvillimi i ekonomisë digjitale dhe përdorimi në rritje i platformave online për shitjen e mallrave dhe ofrimin e shërbimeve kanë krijuar sfida të reja për administratat tatimore, veçanërisht në drejtim të identifikimit dhe monitorimit të të ardhurave të realizuara nga individë dhe subjekte përmes këtyre platformave. Mungesa e informacionit të strukturuar dhe të standardizuar mbi këto aktivitete krijon hapësira për mosdeklarim të të ardhurave dhe shmangie të detyrimeve tatimore”, thuhet në relacion.
Përmes këtij drafti bëhet i detyrueshëm raportimi nga platformat digjitale për të ardhurat e shitësve të shërbimeve apo mallrave. (psh. Booking/AirBnB raporton sa të ardhura gjeneroi një person nga qiradhënia e pronës në një vit)
“Ky projektligj detyron platformat digjitale të raportojnë të ardhurat e përdoruesve të tyre, me qëllim që shteti të sigurojë pagesën e saktë të tatimeve dhe të luftojë ekonominë informale. Platformat digjitale (si aplikacione ose faqe interneti) kanë detyrimin të mbledhin dhe të raportojnë çdo vit, deri më 31 janar, pranë administratës tatimore, të dhënat për përdoruesit (shitësit) që realizojnë të ardhura përmes tyre”, vijon më tej relacioni. Gjithashtu për të goditur evazionin dhe rritur transparencën në ekonominë digjitale thuhet në relacion, administrata tatimore shqiptare do ta shkëmbejë informacionin mbi të ardhurat e shitësve me administratat tatimore të vendeve të Bashkimit Evropian.
“Për individët dhe personat juridikë shqiptarë që kryejnë shitje përmes platformave digjitale me rezidencë jashtë Shqipërisë, administrata tatimore shqiptare do të marrë informacion për të ardhurat e tyre përmes sistemit të shkëmbimit elektronik të të dhënave me homologët në vendet e BE-së”, vijon më tej relacioni. Efektet e këtij ligji nëse kalon në Kuvend do të fillonin nga data 1 janar 2029 dhe periudha e parë raportuese është viti 2029, praktikisht raportimi i parë nga platformat online bëhet në 2030-ën.