SPORT, 12 Shkurt 2020, 13:12

Pioli ndien hijen e Maks Alegrit, pa zonën Champions do lirojë stolin

Pioli ndien hijen e Maks Alegrit, pa zonën Champions do lirojë stolin


Klima në “Milanelo” është jo pak e tendosur, pas përmbysjes së pësuar në derbi dhe sigurisht që në të tilla raste, më shumë se kushdo tjetër paguan trajneri, në rastin e kuqezinjve, Stefano Pioli. Drejtuesit e klubit vërtet nuk kanë folur me skuadrën, por konfrontimi me teknikun e tyre ka ndodhur, ndonëse vendimi më i qartë do të merret në fund të sezonit.

Fundja, është normale që krerët e klubit dhe Pioli të mblidheshin për të folur dhe për të kuptuar shkaqet e asaj humbjeje që nuk kapërdihet lehtë kundër Interit, por pas saj duket se ka ardhur edhe ultimatumi i drejtuesve: “Ose kap zonën Champions, ose ta harrosh ta respektosh kontratën që skadon më 30 qershor 2021”. Dhe ndoshta ky ultimatum ka ardhur me të drejtë, duke qenë se janë numrat ata që dënojnë Piolin.

Kur Stefano vendosi që të firmosë me Milanin në muajin tetor, distanca nga vendi i katërt, pozicioni i fundit që të dërgon në Ligën e Kampioneve, ishte vetëm 4 pikë larg. Por sot e kësaj dite, Atalanta që e mbron dhe e mbronte këtë pozicion edhe 4-5 muaj më parë, aktualisht ka fluturuar 10 pikë larg, faktor ky i vetëm 8 fitoreve, 5 barazimeve dhe 5 humbjeve të regjistruara në 18 ndeshje nën drejtimin e 54- vjeçarit.

Pastaj, shumë pak optimizëm për arritjen e zonës Champions vjen si rrjedhojë e mizerjes së zero pikëve të grumbulluara në duelet me pesë skuadrat e para të renditjes deri në këtë moment, pa pikët e të cilave është e vështirë që të pretendosh të ngjisësh shkallët e klasifikimit. Për këtë arsye, nëse Pioli nuk do të ndryshojë marsh deri në fund të Serisë A, rreth tij, hijet e Masimiliano Alegrit apo edhe ajo e gjermanit Ralf Rangnik, të cilëve përflitet se do t’u jepet jo vetëm një rol trajneri, por edhe ai i drejtorit sportiv, për të bërë merkaton e skuadrës, do t’i rrëmbejnë stolin Stefanos.