TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar pas zhvillimeve të sotme në Shërbimin Informativ të Shtetit, ku drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, është vendosur në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe është pezulluar nga detyra, në kuadër të një hetimi të SPAK.
Në një deklaratë për mediat, Shehaj ngriti akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke u shprehur se SHISH dhe institucione të tjera shtetërore janë përdorur për të mbrojtur pushtetin dhe për të penguar zbardhjen e aferave të dyshuara.
DEKLARATA PËR SHTYP
Të dashur qytetarë, Edi Rama po shkërmoq shtetin shqiptar për t’u mbrojtur veten nga drejtësia. Shërbimi Informativ është përdorur për të zhdukur gjurmët e vjedhjeve të Edi Ramës. Kërkesa për arrestimin e kreut të Shërbimit Informativ është shokuese dhe tregon përfshirjen e këtij institucioni në shërbim të interesave personale të Edi Ramës dhe në shërbim të grupeve kriminale të tij. Por ky nuk është i vetmi institucion që është kompromentuar nga kjo qeveri. AKSHI, Bashkia e Tiranës, Policia e Shtetit, ministrat dhe vetë qeveria, të gjitha këto institucione kanë dalë jashtë kontrollit. Nuk u kanë shërbyer qytetarëve shqiptarë, por janë përdorur nga Edi Rama për të mbajtur pushtetin dhe sot janë vendosur në shërbim të tij për ta mbrojtur atë nga drejtësia. I gjithë shteti shqiptar po përdoret haptas për të shpëtuar Ramën dhe për të penguar drejtësinë. Përfshirja e SHISH-it tregon se këta pushtetarë të korruptuar janë të gatshëm të përdorin për interesat e tyre kriminale, një prej institucioneve më kritikë, duke cenuar në mënyrë të pariparueshme besimin e qytetarëve shqiptarë dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Duhet që kryeministri i Shqipërisë t’i japë fund një herë e mirë shkatërrimit të përditshëm të institucioneve shqiptare. As Edi Rama dhe askush tjetër nuk mund t’i shpëtojë drejtësisë. Çdo tentativë për të përdorur institucionet në luftën e tij personale kundër drejtësisë e rëndon edhe më shumë përgjegjësinë e tij. Ka një thirrje që vjen nga protesta prej më shumë se 100 ditësh: Jep dorëheqjen! Mjaft e shkatërrove Shqipërinë! Lejo drejtësinë të veprojë. Mbaj përgjegjësi për çfarë ke bërë. E ardhmja e Shqipërisë është brenda familjes se demokracive perëndimore. Aty askush nuk mund të përdorë pushtetin politik për t’u mbrojtur nga drejtësia. Sa më shumë qëndron në atë detyrë, sa më shumë keqpërdor institucionet shqiptare, aq më shumë Rama rëndon pozitën e tij në raport me drejtësinë. Faleminderit!