AKTUALITET, 20 July 2026, 12:00

“Partizani”/ Malltezi: Kush jua tha që prona ishte në plan në 2007? Topi: Presidenti nuk merret me detajet

Gjatë dëshmisë në gjyqin për dosjen “Partizani”, Jamarbër Malltezi ka pyetur ish-presidentin Bamir Topi lidhur me planin e përhapjes së pronës dhe informacionin mbi përfshirjen e saj në vitin 2007.

Malltezi kërkoi të dinte se nga e kishte marrë Topi informacionin se prona ishte pjesë e planit të përhapjes në vitin 2007, duke pretenduar se ajo nuk kishte qenë pjesë e këtij plani as në vitet 2004 dhe 2006.

“Jeni në dijeni që kjo pronë nuk ka qenë në planin e përhapjes as në 2004? Kush ua ka thënë që ishte në 2007?”, pyeti Malltezi.

Bamir Topi u përgjigj se Presidenti nuk merret me përpilimin teknik të dokumenteve, por njoftohet për procedurën institucionale.

Jamarbër Malltezi: A jeni në dijeni që kjo pronë s’ka qenë në planin e përhapjes as në 2004? Kush ua ka thënë që ishte në 2007?

Bamir Topi: Sipas procedurës, mbaj mend kështu ka qenë. Presidenti nuk futet në mënyrë analitike se si është përpiluar shkresa. Është Shtabi i Përgjithshëm që përgatit praktikën. Presidenti nuk ka nga ta dijë. Ai vihet në dijeni për procedurën.

Jamarbër Malltezi: Këtë datë që ka dalë nga plani i përhapjes, nga e morët?

Bamir Topi: Ka ardhur si prezantim i planit të përhapjes. Atje kanë qenë ekspertë të NATO-s. Repartet ushtarake vijnë me numra. Presidenti bën vetëm dëgjesën. Kur procedura është e plotë, Presidenti asistohet edhe nga këshilltarët. Unë s’do ta imagjinoja kurrë që ka qenë në planin e përhapjes.

Jamarbër Malltezi: Zoti President…

Gjykata: Është dëshmitar.

Jamarbër Malltezi: Dëshmitar, kjo nuk ka qenë as në 2006, as në 2007, s’ka qenë në planin e përhapjes. Kush ta tha që ka dalë në 2007, kur s’ka qenë as në 2004, as në 2006, as në 2007?

Bamir Topi: Presidenti nuk komunikon me fjalë, më tej të thashë, por në mënyrë institucionale. Në Presidencë paraqiten për të marrë firmën e Presidentit. Pra, nga Shtabi shkon tek këshilltari i ligjshmërisë, pastaj te Presidenti.

Jamarbër Malltezi: Procedura është e rregullt, por s’kemi asnjë shkresë, asnjë plan që ta ketë patur. Ju thatë që ka dalë në 2007. A e keni parë një dokument të tillë?

Bamir Topi: Kur realizohet një procedurë, realizohet në mënyrë shumë rigoroze dhe në fund vijnë shkresat dhe firmosen.

Klodiana Gjyzari, avokatja e Berishës: Ju thatë se filluat si President në korrik 2007 dhe që ishte në gusht 2007?

Bamir Topi: Po.

Avokatja Gjyzari: Pra, e keni bërë në muajin e parë?

Bamir Topi: Po.

Avokatja: Si e mbani mend datën?

Bamir Topi: E mbaj mend. Në memorien time kanë qenë jo vetëm një repart, por shumë reparte. Në mënyrë rigoroze është ndjekur ajo procedurë që ju thashë.

Avokatja: Nga ana e prokurorisë janë paraqitur relacionet, dokumentet dhe shkresat që keni pasur në kohën si President. Duke thënë se repartet janë me numra, jo me emra. Thatë që e bëtë muajin e parë. Si e identifikuat që në këtë plan përhapjeje ishte apo nuk ishte Sport Klub Partizani?

Bamir Topi: Kur vjen lista e reparteve, jo domosdoshmërisht duhet ta dish që është apo jo Partizani. Por kjo nuk ta heq mundësinë të njoftohesh se në këtë pjesë paska qenë edhe Klubi Partizani. Por kur je në zyrë, do ndjekësh rigorozisht procedurën ligjore. Ju thashë se janë këshilltarët dhe jo domosdoshmërisht Presidenti duhet ta dijë se për çfarë reparti bëhet fjalë.

Avokatja: Ju kujtohet nga cilat vende anëtare të NATO-s ishin këta ekspertë.

Topi: Jo. Bëhet fjalë që ishin standardet e NATO-s.

Avokatja: Plani i përhapjes nuk ka lidhje me municionet?

Topi: Kur futesh në NATO, është një kuadër i gjerë reformash, detyra për t’u parë si numri i reduktimit të aseteve e të tjera.

Av.: Në rastin e këtij plani përhapjeje, thatë që ka ndryshuar katër herë?

Topi: S’kam thënë asnjëherë që ka ndryshuar katër herë.

Avokatja: E paskam dëgjuar gabim.

Topi: Ekspertët e NATO-s kanë asistuar Shtabin e Përgjithshëm dhe jo Presidencën, sepse këtë detyrë e ka Shtabi i Përgjithshëm.

Avokatja: Në lidhje me takimin me zotin Qiriazi, ju kujtohet si problem?

Topi: E ka sjellë shefi i kabinetit, këtë e mbaj mend. I kam dhënë precedencë, është bërë bisedë në këmbë, këtë e mbaj mend dhe ua kam kaluar stafit.