AKTUALITET, 20 July 2026, 09:59

"Qelbësirë, e çmendur”/ Deklarata e ministres serbe për Kosovën shkakton debate dhe tensione në Komisionin e Jashtëm, ndërpritet mbledhja

Mbledhja e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, e thirrur për shqyrtimin e disa projektligjeve dhe procesverbaleve, u ndërpre pas debateve të forta mes mazhorancës dhe opozitës.

Përplasjet nisën gjatë diskutimeve për deklaratat e ministres së Jashtme të Serbisë dhe qëndrimin e diplomacisë shqiptare. Deputetët e opozitës Tritan Shehu dhe Albana Vokshi kërkuan sqarime dhe një reagim nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Gjatë mbledhjes pati përplasje verbale mes ministrit Hasani dhe deputetëve të opozitës, ndërsa tensionet u shtuan me shkëmbime akuzash mes palëve.

Për shkak të klimës së krijuar, mbledhja e Komisionit u pezullua.

Pjesë nga debati

Hasani: Kur më jep ti leksione për ruajtjen e durimit, është fundi i botës.

Vokshi: A mund të qetësoheni? Shoh që qenkeni në siklet.

Hasani: Jam aq i qetë, o zonja Vokshi.

Vokshi: E kuptoj që kjo gjuhë ju prek. E kuptoj që, duke ngritur zërin, ju kërkoni të fshihet heshtja e dënueshme e kryeministrit.

Hasani: Nuk më fsheh heshtjen e askujt. E kuptoj dëshirën për të përdorur deklaratën budallaqe të një të çmendure.

Vokshi: Ajo është ministre, s’mund të trajtohet si individ i çmendur.

Hasani: E çmendur, qelbësirë e çmendur.

Vokshi: Ju duhet të reagoni. Ky komision duhet të reagojë.

Hasani: Fol, por mos u merr me mua.

Vokshi: Drejtohuni siç duhet, ruani etikën dhe qetësinë. Ju më fyeni, por unë nuk i përgjigjem fyerjes suaj.

Hasani: Mos u merr me mua.

Vokshi: Opozita nuk do ta mbyllë gojën.

Albana Vokshi: Para disa ditësh, ministrja serbe ka deklaruar në një intervistë se po të ishte në vend të Millosheviçit në 1998 ajo do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën. Kjo nuk është gafë politike, as deklaratë e nxituar, por është legjitimim i hapur i spastrimit etnik. Është deklaratë skandaloze, e dënueshme dhe që ka ngjallur reagim kombëtar dhe ndërkombëtar. Me njëherë pas kësaj deklarate reagoi BE, komisionerja për zgjerimin, qeveria gjermane, Mbretëria e Bashkuar, eurodeputetë. Ndërkohë që kryeministri zgjodhi të heshtë. Ende sot që flasim, kryeministri që flet për çdo gjë, vetëm për këtë deklaratë skandaloze të qeverisë serbe hesht. Ndërkohë ministria e jashtme ka bërë një reagim të thatë dhe nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë tjetër. PD ka kërkuar shpalljen non grata, ku është kryeministri? Pse nuk shpallet non grata, pse nuk thirret me urgjencë ambasadori serb dhe t’i paraqitet një notë proteste. Kur relativizohen krimet e Millosheviç, Shqipëria nuk mund të heshtë. Në kërkojmë shpalljen e saj non grata dhe inicim e një padie për nxitje të spastrimit etnik dhe të thërritet ambasadori serb për t’i paraqitur notë zyrtare. Ne si komision të dalim m enjë deklaratë të përbashkët, se çështja nuk ka kah politik, të dënojmë deklarata, ti kërkojmë qeverisë shqiptare të marrë hapat diplomatike të nevojshëm. Unë kam sjellë një draft-deklaratë.

Hasani: Qeveria shqiptare ka mbajtur një qëndrim për atë frazë të tmerrshme e të papranueshme, të thënë nga një qelbësirë që përpiqet t’i nxjerrë të gjitha komplekset e rinisë së saj nëpërmjet asaj deklarate. Ministri i Jashtëm ka mbajtur qëndrim, kreu i grupit në seancën e kaluar ka mbajtur qëndrim. Kjo mazhorancë ka qenë e qartë në dënimin e një individi që përfaqëson të shkuarën e Millosheviçit. Spastrimin etnik e kanë pasur dëshirë dhe, në momente të caktuara, janë përpjekur ta shndërrojnë në realitet, por shqiptarët nuk mund t’i spastrojnë etnikisht aq lehtë. Këto personazhe qesharake nuk mund ta qesharakëzojnë punën e shqiptarëve, kudo që janë. Ne kemi qenë të qartë, konsekuentë dhe shumë të hapur për të kuptuar realitetin në të cilin ndodhemi. Nuk ka asnjë dilemë për qëndrimet tona. Askush nuk ka shans t’i vërë në diskutim shqiptarët, Kosovën dhe realitetin ku jetojnë shqiptarët, qoftë edhe për konsum të brendshëm elektoral. Mos u merrni me injorantë dhe delirantë.