TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Është mbyllur afati i aplikimeve për garën e drejtuesve të 6 departamenteve kryesore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, afat i cili u mbyll të premten e 17 korrikut. Në total, në proces burime bëjnë me dije se kanë aplikuar 9 kandidatë, të cilët do të konkurrojnë për drejtimin e strukturave më të rëndësishme të institucionit. 6 prej tyre pritet të jenë drejtuesit e rinj të departamenteve, dhe në gatë janë Pëllumb Seferi, Artan Barjaktari, Lorenc Panganika, Saimir Muçaj, Hergis Jica, Idajet Faskaj, Ferdinand Mara, Alban Dauti dhe Lufti Minxhozi.
Departamentet për të cilat është zhvilluar konkurrimi janë Departamenti për Policinë Kriminale, Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Shërbimet Mbështetëse, Rendin dhe Sigurinë Publike, Teknologjinë e Informacionit dhe Kufirin dhe Migracionin. Procesi i konkurrimit u hap me urdhër të kryepolicit Skënder Hita dhe synon për herë të parë të zgjedh me konkurs drejtuesit e rinj. Pak muaj më parë gara për departamentet u anulua pas padisë së ish-drejtueses së BKH-së, Aida Hajnaj, në Gjykatën Administrative, e cila nuk u kthye në të njëjtin post që ka mbajtur më parë në Policinë e Shtetit. Emërimi i saj më vonë si drejtuese departamenti, liroi situatën.
Sipas kritereve të përcaktuara në ligjin e Policisë së Shtetit, kandidatët duhet të mbajnë gradë të rolit të mesëm drejtues, të mos kenë masa të rënda disiplinore gjatë tre viteve të fundit, të mos kenë konflikt interesi dhe të plotësojnë kriteret ligjore e shëndetësore për ushtrimin e funksionit. Në ditët në vijim pritet të zhvillohen fazat e mëtejshme të vlerësimit nga një komision i posaçëm në Policinë e Shtetit, në përfundim të të cilave do të përzgjidhen drejtuesit e rinj të gjashtë departamenteve të Policisë së Shtetit.
Emërimi i tyre bëhet me propozim të kryepolicit dhe firmë të ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari. Kjo pritet të jetë hera e parë dhe e fundit që drejtuesit e departamenteve zgjidhen me konkurs, pasi në Kuvend pritet të kalojnë ndryshimet në ligjin e policisë, i cili heq garën në nivelet më të ulëta drejtuese, përveç drejtorit të përgjithshëm.
Aktualisht, 6 departamentet drejtohen prej vitesh nga drejtues të tjerë me karrierë të gjatë në polici. Neritan Nallbati në krye të Policisë Kriminale, i cili nuk ka shfaqur interes për një mandat të dytë, edhe pse ligji ia lejon. Marrëdhëniet Ndërkombëtare i drejton Pëllumb Seferi, i cili kërkon sërish një departament. Te Shërbimet Mbështetëse është Theodhori Gravani, Dhitraq Ziu te Rendi dhe Sigurisë, Aida Hajnaj te Teknologjia e Informacionit, ndërsa Kufiri dhe Migracioni nga Saimir Muça, i cili është sërish në garë për drejtor departamenti.