BOTA, 13 August 2026, 18:11

Panik në brigjet e Fethiyes, merr flakë anija me 115 persona. Pasagjerët hidhen në det për t’i shpëtuar zjarrit

Panik në brigjet e Fethiyes, në Turqi, pasi një anije turistike me 115 persona në bord u përfshi nga flakët mëngjesin e së enjtes, 13 gusht.

Zjarri dyshohet se ka nisur në kuzhinën e anijes dhe është përhapur me shpejtësi, duke detyruar pasagjerët dhe ekuipazhin të hidhen në det me jelekë shpëtimi. Ekipet e rojes bregdetare, autoritetet portuale dhe anije të tjera që ndodheshin në zonë ndërhynë menjëherë për evakuimin e personave në bord.

Sipas mediave turke, të gjithë 115 personat u shpëtuan. Dy persona u dërguan në spital për shkak të thithjes së tymit, ndërsa fëmijët iu nënshtruan kontrolleve mjekësore si masë parandaluese.

Zjarri u vu nën kontroll nga ekipet e emergjencës, por anija pësoi dëme të konsiderueshme materiale. Aktualisht po zhvillohet një operacion për tërheqjen e saj drejt bregut. Autoritetet turke kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të zjarrit.