AKTUALITET, 30 October 2026, 09:39

Operacioni/ I dënuar më parë për vepra të rënda penale, arrestohet në Vorë 41-vjeçari i rrezikshëm! I gjendet armë zjarri dhe jelek anti-plumb

Operacioni/ I dënuar më parë për vepra të rënda

Arrestohet në Vorë 41-vjeçari E.Andreica, i njohur edhe me mbiemrin Muça.

Ai u kap me armë zjarri pistoletë pa leje, ndërsa në momentin e ndalimit ka kundërshtuar efektivët që ishin vënë në ndjekje të tij. Ndërsa nga kontrolli në banesë iu gjet edhe një jelek anti-plumb.

41-vjeçari është person me precedent penal i dënuar më parë për “Vjedhje me dhunë,” “Vjedhje me armë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Ndërsa edhe më herët ka kundërshtuar forcat e policisë gjatë arrestimeve.

Grupi hetimor ka dyshime se 41-vjeçari është i përfshirë në aktivitete të paligjshme, ndërsa po hetohet për përfshirje të mundshme edhe në shitjen e armëve.

Kush është Elton Andreica?

Raportohet se në maj të 2025, Elton Andreica alias Muça, është vetëplagosur aksidentalisht në banesë në fshatin Marikaj të Vorës me armën që e mbante pa leje.

 
Më pas, ai ka shtënë disa herë që të inskenonte një atentat ndaj tij. Për të penguar zbulimin e ngjarjes, 41-vjeçari me dy mbiemra ka hequr DVR-në e një kamere të sigurisë pranë banesës së tij.

Njoftimi i policise per arrestimin: 

Sekuestrohen armë zjarri (pistoletë), jelek antiplumb, municion luftarak, mbetje të dyshuara të lëndës narkotike Kokainë, automjet dhe celular.

Arrestohet në Marikaj, një 41-vjeçar, i cili duke qenë me masë sigurie “Arrest në shtëpi, transportonte armën e zjarrit, me qëllim trafikimin.

Gjatë arrestimit, 41-vjeçari ka kundërshtuar me dhunë, efektivët.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i informacioneve të siguruara gjatë punës operative, finalizuan operacionin e koduar “Përfshirja”, në kuadër të të cilit arrestuan në flagrancë shtetasin E. A.(M.), 41 vjeç, banues në Vorë.

41-vjeçari u ndalua teksa drejtonte automjet, në Marikaj, duke qenë me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”. Ky shtetas ka kundështuar me dhunë, punonjësit e Policisë, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale.

Nga kontrolli fizik atij iu gjet 1 armë zjarri (pistoletë) me municion, të cilët dyshohet se do ta trafikonte, ndërkaq, nga kontrolli në banesë iu gjetën jelek antiplumb dhe mbetje të dyshuara të lëndës narkotike Kokainë.

Punohet për dokumentimin e plotë të përfshirjes së shtetasit E. A.(M.) në veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.