TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Teksa situata në territorin e Bashkisë Pukë është normalizuar gjatë dy ditëve të fundit sa i takon vatrave të zjarrit, pasojat e shkaktuara nga flakët mbeten të mëdha. Kryetari i Bashkisë Pukë, Rrok Dodaj, thotë se situata e krijuar gjatë ditëve të fundit ka qenë e vështirë, për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve dhe terrenit të vështirë. Sipas tij, ndërhyrja e forcave në terren, e mbështetur edhe nga ajri, ka bërë të mundur shuarjen e vatrave dhe vënien nën kontroll të situatës.
“Krahas një pune kolosale që u bë me të gjitha strukturat e Bashkisë Pukë, me MNZ-në, me AKMC-në dhe me forcat e ushtrisë, falë edhe punës së mirë që bënë forcat ajrore, të cilat punojnë në terren prej gjashtë ditësh me radhë, gjendja rezulton sot, në ditën e 11-të, e përmirësuar në të gjitha vatrat e zjarrit”, u shpreh Rrok Dodaj, Kryetar i Bashkisë Pukë.
Pas përmirësimit të situatës, Bashkia Pukë ka nisur një tjetër fazë, atë të evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve. Është ngritur grupi i punës, i cili po verifikon në terren pasojat e zjarreve, jo vetëm në sipërfaqet pyjore, por edhe në banesa dhe prona të tjera të prekura.
“Sot, Bashkia Pukë, në ditët në vijim, duke parë edhe gjendjen e përmirësuar, totalisht themi se do të bëjmë takimin e radhës me Shtabin e Emergjencave dhe do të dalim në terren për të bërë verifikimin e këtyre dëmeve që janë shkaktuar nga zjarri. Komisionet e ngritura nga Bashkia Pukë do të ndjekin çdo hap ligjor për të identifikuar këto probleme”, tha Dodaj.
Përtej bilancit të dëmeve materiale, strukturat vendore vijojnë monitorimin e territorit, me qëllim shmangien e riaktivizimit të vatrave të zjarrit. Ndërkohë, procesi i evidentimit pritet të japë një pasqyrë më të plotë të dëmeve të shkaktuara nga zjarret në territorin e Pukës.