TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Prokuroria e Qarkut në Split ka ngritur aktakuzë ndaj një piloti ushtarak të Forcave Ajrore Kroate dhe partneres së tij, shtetase serbe, nën dyshimin për spiunazh.
Sipas aktakuzës, piloti J.I., i lindur në vitin 1971, gjatë shërbimit në Forcat e Armatosura të Kroacisë, nga shkurti deri në dhjetor të vitit 2022, në disa raste i ka vënë në dispozicion partneres së tij A.M., e lindur në vitin 1979, të dhëna të klasifikuara që i kishte siguruar ose ku kishte pasur akses për shkak të detyrës.
Prokuroria dyshon se piloti e dinte se partnerja e tij po i mblidhte këto informacione për llogari të një shteti të huaj, një personi juridik të huaj dhe një personi që punonte për ta.
Rasti është veçanërisht i ndjeshëm për shkak të informacionit që dyshohet se lidhej me Kosovën. Sipas raportimeve të mëparshme, piloti kishte shërbyer edhe në kuadër të KFOR-it dhe hetuesit dyshonin se ai kishte përcjellë informacione konfidenciale mbi lëvizjet dhe pozicionet e forcave të KFOR-it, si dhe mbi zhvillimet e sigurisë në veri të Kosovës dhe në zonën e Zubin Potokut.
Hetimi u zhvillua nga policia civile dhe ajo ushtarake, ndërsa në procedurë ishte përfshirë edhe Europol.
Të dy të dyshuarit i kanë mohuar akuzat. Piloti ka deklaruar gjatë hetimeve se nuk i kishte dhënë partneres së tij të dhëna konfidenciale dhe ka pretenduar se ndaj tij po kurdisej një rast. Edhe partnerja e tij ka mohuar përfshirjen në veprimtari spiunazhi.
Të dy u arrestuan në gusht 2025
Arrestimi i tyre ishte raportuar për herë të parë më 27 gusht 2025. Një ditë më pas, Prokuroria e Qarkut në Split hapi zyrtarisht hetimet.
Piloti u vendos në paraburgim për shkak të rrezikut të ndikimit te dëshmitarët, ndërsa ndaj partneres u vendos paraburgim edhe për shkak të rrezikut të arratisjes.
Gjatë hetimit janë marrë në pyetje tetë dëshmitarë, kryesisht pjesëtarë aktivë të ushtrisë kroate.
Piloti u lirua nga paraburgimi në fund të tetorit 2025, por iu vendosën masa kujdesi, përfshirë ndalimin e kontaktit me një prej dëshmitareve. Për shkak të hetimit, ai ishte pezulluar nga detyra.
Me ngritjen e aktakuzës, faza hetimore tashmë ka përfunduar dhe çështja pritet të kalojë në fazën gjyqësore.
Autoritetet kroate nuk e kanë bërë publik identitetin e plotë të të akuzuarve, ndërsa akuzat për spiunazh mbeten pretendime që duhet të provohen në gjykatë.