BALLKAN, 20 August 2026, 09:16

Vazhdon kriza/ PDK i bllokon sërish derën Kurtit para qeverisë! Deputetëve opozitarë u bashkohen Aleanca dhe asamblistët e Vushtrrisë

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë vazhduar për të gjashtën ditë radhazi aksionin e tyre duke bllokuar hyrjen e Qeverisë së Kosovës, në shenjë proteste ndaj mos-thirrjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.bPDK-së i janë bashkuar edhe deputetë të Aleancës, si dhe asamblistë të PDK-së nga Komuna e Vushtrrisë.

PDK-ja prej disa ditësh po qëndron para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar që të thirret vazhdimi i seancës konstituive dhe të zhbllokohet procesi i konstituimit të Kuvendit, ndërsa ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për bllokim të institucioneve.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se aksionet do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesës së tyre për, siç u shpreh, kthimin e kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe legjitimitetit të shtetit.

“Edhe sot me Partinë Demokratike të Kosovës për të gjashtën ditë radhazi jemi këtu për t’i kërkuar deputetit Albin Kurtit, njëherit kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje që të reflektojë, të kthehet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të konstituojë institucionet e vendit për cka ka marrë mandatin dhe besimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Mos ta keqpërdorë këtë besim. Albin Kurti ka kapur qeverinë, presidencën, kuvendin e mbi të gjitha e ka kapur edhe grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, deputetët e saj të cilët nuk kanë guxim për të ardhur në sallën e kuvendit për të bërë konstituimin e institucioneve.  Jemi edhe sot, për të gjashtën ditë radhazi dhe nuk do të ndalemi deri në arritjen ose realizimin e kërkesës sonë, për të kërkuar një gjë të vetme, kthimin e kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe legjitimitetit të shtetit”, tha ajo.

Ndërsa deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, kërkoi respektimin e Kushtetutës dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatet për konstituimin e Kuvendit. Kadrijaj thotë se nëse vazhdon kjo situatë, do të organizojnë protesta të cilat do të jenë edhe masive.

“Po kërkojmë të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese i cili e ka qartësuar periudhën kohore se cilat do të jenë ato periudha që duhet të konstituohet kuvendi edhe me pas zgjedhja e presidentit. Kto pikërisht janë arsyet, ne kemi kërkuar që të respektohet. Askush nuk është mbi ligjin. E mbi ligjin nuk është as Albin Kurti, i cili po mendon që është njëfarë shefi që mundet me bë dhe me interpretu ligjin dhe kushtetutën ashtu siç i dëshiron vetë. Kjo nuk do të ecë, ne nuk do të ndalemi së organizuari deri në konstituimin e plotë edhe të kuvendit po edhe zgjedhjen e qeverisë.

 E ka obligim qytetar dhe duhet sa më shpejt të mblidhet në sallën e kuvendit, ta konstituojë në plotni kuvendin po edhe zgjedhjen e qeverisë. Nuk ka rrugë kthim prapa, nëse Albin Kurti vazhdon me këtë avaz edhe ne do të vazhdojmë me protesta të cilat do të jenë edhe masive”, tha ajo.
Kosova mbetet pa Kuvend të konstituuar pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit. Rezultatet e këtyre zgjedhjeve u certifikuan më 8 korrik, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht. Lidhur me këtë afat, 14 organizata joqeveritare iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese të mërkurën.

Seanca konstituive ishte caktuar të niste më 6 gusht. Megjithatë, procesi u ndërpre pasi Kurti, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, kërkoi kohë shtesë për diskutime me partitë politike lidhur me zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. Kurti argumentoi se konstituimi i Kuvendit pa një marrëveshje paraprake për presidentin do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të tjera të parakohshme.