TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Zbulimi i mbetjeve mortore të 23 personave dhe i një arsenali të madh armësh në Zubin Potok ka rikthyer në vëmendje hetimet për krimet e luftës dhe çështjet e sigurisë në veri të Kosovës.
Pas përfundimit të gërmimeve në tri lokacione në Kalludër të Vogël dhe Jabukë, autoritetet kanë konfirmuar varreza masive, ndërsa mbetjet mortore tashmë do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjekoligjore dhe analizave të ADN-së për identifikimin e viktimave.
Në të njëjtën zonë, Policia e Kosovës ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme armësh, municioni dhe pajisjesh ushtarake, përfshirë mitraloza, mjete shpërthyese, granata dore dhe detonatorë. Autoritetet po hetojnë nëse një pjesë e këtij arsenali mund të ketë lidhje me vrasjen e 23 personave të zhdukur.
Zbulimet kanë ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi origjinën e armatimit, mënyrën se si është siguruar dhe personat apo strukturat që mund ta kenë ruajtur atë.
Eksperti i sigurisë Arben Fetoshi ka vlerësuar se Serbia përdor metoda dhe taktika hibride, përfshirë instrumentalizimin e komunitetit serb në Kosovë, me qëllim destabilizimin e vendit. Sipas tij, institucionet kosovare kanë treguar kapacitet për t’i neutralizuar këto kërcënime, në koordinim me partnerët strategjikë.
Ndërkohë, familjarët e personave të zhdukur dhe përfaqësues të veteranëve kanë kërkuar zbardhjen e plotë të fatit të viktimave dhe një angazhim më të madh ndërkombëtar. Ata theksojnë se ende nuk është zbardhur fati i qindra personave të zhdukur nga lufta.
Një prej kërkesave kryesore mbetet hapja e arkivave në Beograd, me argumentin se ato mund të përmbajnë të dhëna të rëndësishme për fatin e personave të zhdukur dhe krimet e kryera gjatë luftës.
Në kuadër të hetimeve për dyshimet për krime lufte, pas nisjes së gërmimeve në veri janë arrestuar edhe tre persona, të cilët ndodhen në paraburgim.
Ndërkohë, institucionet e Kosovës pritet të vijojnë hetimet për të përcaktuar identitetin e viktimave, rrethanat e vdekjes së tyre dhe lidhjen e mundshme mes mbetjeve mortore dhe arsenalit të gjetur në zonë.