TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Profili i presidentit të ardhshëm të Kosovës ishte në qendër të diskutimeve mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë takimit të së martës mbrëma.
Liderët e dy partive, Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku, nuk bënë të ditur emra konkretë, duke deklaruar se fillimisht do t’i diskutojnë propozimet me partitë e tyre.
Megjithatë, mësohet se gjatë takimit janë përmendur emrat e profesorit Ibrahim Berisha dhe ish-nënkryetarit të Kuvendit Krahinor në vitet ’90, Iljaz Ramajli.
Ibrahim Berisha ka refuzuar të përfshihet në diskutimet për postin e presidentit, duke thënë se fokusi i tij mbeten kultura, letërsia dhe komunikimi. Ndërkohë, familja e Iljaz Ramajlit ka bërë të ditur se ai nuk do të pranojë të jetë kandidat për president.
Sipas njohësve të zhvillimeve politike, Lëvizja Vetëvendosje po kërkon një figurë që nuk do të jetë sfiduese për liderin e saj, Albin Kurtin.
“Lëvizja Vetëvendosje po kërkon një president i cili është, le të themi, jo ambicioz në politikë, por një njeri që pothuajse i ka skaduar karriera dhe si i tillë nuk i bën konkurrencë z. Kurtit, por është më tepër si rojtar i shtëpisë”, tha analisti Arnbor Sadiku.
Kurti dhe Abdixhiku janë pajtuar që në takimin e ardhshëm të propozojnë emra konkretë për president. Megjithatë, njohësit e zhvillimeve politike nuk janë optimistë se çështja e zgjedhjes së presidentit do të zgjidhet.
“Mund të themi që është e vërtetë, e ka pak shpresë që mund të gjendet një opsion, për faktin që partia më e madhe, Lëvizja Vetëvendosje, që nga fillimi vërehet që ka synim që vendi të shkojë në zgjedhje”, u shpreh Sadiku.
Kosova është me ushtrues detyre të presidentit që nga përfundimi i mandatit të Vjosa Osmanit. Për shkak të moszgjedhjes së presidentit të ri, vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme më 7 qershor.
Që nga ajo kohë, Kosova nuk ka institucione funksionale, pasi as Kuvendi nuk është konstituar, siç parashihej brenda afatit kushtetues.