AKTUALITET, 18 July 2026, 09:47

Nënsekretarja Hooker takim me Hoxhën: Biseduam për marrëdhëniet e ngushta që lidhin SHBA-të dhe Shqipërinë

Nënsekretarja e Shtetit për Çështjet Politike të SHBA-ve, Allison Hooker ka reaguar në rrjetin social “X” pas takimit të zhvilluar me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.

Hooker bën me dije se me kryediplomatin shqiptar biseduan për marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Gjithashtu, ata kanë ndarë mendime edhe për forcimin më tej të këtyre marrëdhënieve në funksion të sigurisë së përbashët.

“Ishte një kënaqësi të takohesha sot me Ministrin e Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha. Biseduam për marrëdhëniet e ngushta që lidhin Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë si dhe për mundësitë për të forcuar më tej sigurinë dhe prosperitetin e përbashkët”, thekson Hooker.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha mori pjesë në Ministerialin mbi rikthimin e terrorizmit politik, të thirrur nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në Uashington.

Në Ministerialin ku merrnin pjesë përfaqësues nga më shumë se 60 vende, Hoxha theksoi se “qëndrimi i Shqipërisë është i qartë: në një demokraci, nuk ka as vend dhe as justifikim për dhunën si mjet politik. Historia jonë na kujton këtë lloj rreziku”.