TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Protesta qytetare kundër qeverisë dhe gjithë klasës politike ka shënuar sot ditën e 48-të të saj. Edhe këtë pasdite, qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas u zhvendosën para godinës së Kryeministrisë, duke konfirmuar vijimin e lëvizjes së nisur prej javësh.
Pas disa orësh fjalimesh nga podiumi, protestuesit nisën sërish marshimin në Bulevard, duke ndjekur të njëjtin skenar si në netët e mëparshme.
Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe, ndërsa kanë përsëritur se kërkesa kryesore e protestës mbetet e pandryshuar: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i klasës politike, e cila sipas tyre ka mbajtur peng vendin për më shumë se tre dekada.
Mesazhi i protestës u bë i qartë edhe gjatë ditës së 47-të, kur organizatori Edison Lika deklaroi se kjo lëvizje nuk do të hyjë në negociata dhe nuk do të lejojë përfaqësim politik nga askush.
“Kjo lëvizje nuk do futet kurrë në negociata sepse kërkesat i ka të qarta. Nuk kemi për të negociuar me askënd. Pika e parë e kësaj proteste është dorëheqja e Ramës”, u shpreh Lika.
Gjatë protestës së mëparshme, aktivistët kritikuan edhe përpjekjet që, sipas tyre, synojnë të krijojnë një perceptim për reflektim brenda mazhorancës, duke theksuar se qytetarët nuk do të pranojnë ndryshime sipërfaqësore apo zëvendësime emrash në qeveri.
Një nga momentet më simbolike të protestës ishte pjesëmarrja e studentëve të veshur me pelerinat e diplomimit. Me mesazhin “Ne do të qëndrojmë, nuk do të largohemi”, ata deklaruan se e ardhmja e Shqipërisë nuk mund të ndërtohet pa përfshirjen e rinisë.
Ndërkohë, aktivistja Sidorela Vatnikaj kërkoi që hetimet të mos kufizohen vetëm te ish-zyrtarët, por të shtrihen edhe te drejtuesit më të lartë të qeverisë.
“Edi Rama të hetohet si koka e një organizate kriminale dhe jo si kryeministër i Shqipërisë”, deklaroi ajo.
Edhe pankartat vijuan të ishin një nga elementët më të spikatur të tubimit, me mesazhe ironike dhe kritike ndaj qeverisë, opozitës dhe klasës politike. Protestuesit përsëritën gjithashtu thirrjet që tashmë janë bërë simbol i kësaj lëvizjeje: “Shqipëria kërkon revolucion”, “Shqipëri e re”, “Ju erdhi fundi”, “Pa dhënë dorëheqjen nuk ndalojmë”, “Rama, jep dorëheqjen”, “Parlament i krimit” dhe “Rama SPAK you!”.
Pas 47 ditësh radhazi në shesh, organizatorët kanë deklaruar se protesta do të vijojë çdo ditë, duke ftuar qytetarët t’i bashkohen edhe tubimit të 48-të, i cili sipas tyre do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të protestuesve.