AKTUALITET, 7 August 2026, 21:31

Zjarret në vend drejt normalizimit, AKMC: Shuhen disa vatra, vijon ndërhyrja në Memaliaj

Situata e zjarreve në vend paraqitet me përmirësim, teksa 4 nga 9 vatrat aktive të regjistruara gjatë ditës janë shuar, ndërsa disa zona të tjera janë vënë nën kontroll.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, zjarret janë shuar plotësisht në Dajt, Priskë, Kostren 2 në Berat dhe Uruç në Peqin.

Në Çikallesh të Kavajës, ku situata paraqitej problematike pasi flakët iu afruan banesave dhe u kërkua edhe ndërhyrje nga ajri, zjarri është izoluar dhe situata është vënë nën kontroll.

E njëjta situatë paraqitet edhe në fshatin Plan i Bardhë në Klos, ku zjarri rrezikonte dy banesa. Edhe në Mallakastër, në zonat Riban-Ngraçan dhe Panahor, ku situata ka qenë e vështirë gjatë dy ditëve të fundit, flakët tashmë janë nën kontroll. Në këtë zonë raportohet se janë djegur rreth 180 hektarë pyje.

Ndërkohë, puna për shuarjen e zjarrit vijon në Memaliaj, ku një vatër aktive mbetet ende problematike.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bën me dije se në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar në të gjithë vendin 502 forca operacionale, 110 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe avioni “Air Tractor” i Forcës Ajrore.

Sipas AKMC-së, operacionet për shuarjen e zjarreve kanë vijuar në disa qarqe të vendit me mbështetjen e strukturave vendore dhe Forcave të Armatosura, ndërsa monitorimi dhe koordinimi në terren do të vijojë deri në neutralizimin e plotë të situatës.