AKTUALITET, 12 September 2026, 15:08

Ndalimi i shqiptarëve në Mal të Zi për simbolet kombëtare, reagon ministri Dukaj: Flamuri shqiptar nuk është kërcënim

Ministri i Administratës Publike në Malin e Zi, shqiptari Marash Dukaj, ka reaguar pas incidentit të raportuar mbrëmjen e së premtes, ku një autokolonë me përfaqësues të diasporës shqiptare u ndalua nga autoritetet malazeze pranë Nikshiqit, teksa udhëtonte drejt Shqipërisë.

Sipas raportimeve të publikuara në rrjetet sociale, autoritetet u kanë kërkuar udhëtarëve të hiqnin simbolet dhe flamujt shqiptarë të vendosur në pjesët e jashtme të automjeteve. Në reagimin e tij përmes një postimi në rrjetin social “X”, Dukaj kundërshton trajtimin e flamurit shqiptar si problem apo kërcënim dhe kërkon që ligji të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët.

Ai thekson se flamuri shqiptar është simbol i identitetit kombëtar dhe se respektimi i tij është pjesë e një shoqërie demokratike.

Reagimi i plotë i ministrit Marash Dukaj:

“Flamuri shqiptar nuk është kërcënim, ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Mali i Zi, si shtet demokratik dhe evropian, duhet të ketë të njëjtat standarde për të gjithë. Ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë.

Nuk është mirë që të vazhdojnë standardet e dyfishta ndaj flamurit shqiptar nga ana e Policisë së Malit të Zi. Nuk ka pse të kenë frikë nga flamujt shqiptarë. Përkundrazi, duhet të respektohen qytetarët që e mbajnë atë.

Kemi qenë dëshmitarë të ndërhyrjeve edhe gjatë verës për shkak të flamurit shqiptar në dasma dhe festa, ndërsa mbrëmë ndërhyrja ishte ndaj diasporës shqiptare në pikën kufitare me Bosnjë-Hercegovinën. Ata kanë kaluar nëpër gjithë Evropën dhe vetëm policisë sonë, pra Policisë së Malit të Zi, i ka penguar flamuri shqiptar!

Në vend të përpjekjeve të tilla, bëj thirrje që të diskutojmë për rregulla më të mira dhe për respektimin e vazhdueshëm të asaj që u takon të gjithë popujve në Mal të Zi.

Vetëm kështu Mali i Zi mund të ecë përpara në rrugën drejt Evropës.

Flamuri shqiptar nuk është kërcënim për askënd. Ai është simbol i identitetit, lirisë dhe vazhdimësisë historike të miliona shqiptarëve – nga Skënderbeu e deri më sot. Ai ka ekzistuar për më shumë se pesë shekuj dhe nuk do ta largojë asnjë presion.

Dua t’ia kujtoj publikut se vendosja e flamurit shqiptar në Mal të Zi është në përputhje me ligjin dhe se Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve ia ka dorëzuar simbolet kombëtare Kryetarit të Kuvendit në vitin 2021, më saktësisht më 28 janar 2021.

Kryetarit të Kuvendit, Aleksa Bečić, iu dorëzuan etalonet e stemës dhe flamurit, si dhe partitura e himnit të shqiptarëve në Mal të Zi. Delegacioni përbëhej nga Faik Nika, Lindon Gjelaj dhe Genci Nimanbegu”.