TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një ngjarje shumë e rëndësishme, me përmasa thellësisht gjeopolitike, e cila, nuk është se mori vëmendjen e merituar, ka ndodhur në datën 29 Janar 2020.
Zonja Monika Kryemadhi, në krye të një delegacioni nga Lëvizja Socialiste për Integrim, vizitoi kampin e muxhahedinëve Ashraf-3 në Manzë, ku u takua me kryetaren e të gjithë muxhahedinëve, Zonjën Maryam Rajavi, e zgjedhur si Presidente e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit.
Ky takim mes dy homologeve opozitare, njëra në Shqipëri dhe tjera në ekzil, u krye në praninë e zotni Petrit Vasilit, si zëvendëskryetar i LSI-së dhe Erjol Braimllarit, si shefi i kabinetit të Monës.
Takimi rezultoi jo vetëm i ngrohtë, por edhe shumë, shumë miqësor, si të njiheshin prej vitesh.
Kryetarja Kryemadhi dhe delegacioni që e shoqëronte, vizituan në kamp, muzeun e 120 viteve të Luftës për Liri në Iran.
Delegacioni u takua gjithashtu me mijëra anëtarë muxhahedinë, ku vendqëndrimin e tyre në Manzë, kryetarja Mona, e përshkroi atë si "një qytet të bukur", duke u gëzuar dhe mallëngjyer shumë, deklaron për median, Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit.
- Jam thellësisht e prekur, - tha Mona. Ajo që pashë ishte tronditëse, por u ndjeva e privilegjuar, që m'u dha mundësia të vizitoja muzeun dhe ndjeva forcën e grave dhe burrave, të lëvizjes tuaj, në mënyrën si ata kanë luftuar për demokraci në Iran.
- Mësova shumë nga kjo vizitë, - tha Kryemadhi duke lëshuar edhe disa pika lot.
Bëhemi me dije, se në mbarim të takimit, kryetarja e Muxhahedinëve, Maryam Rajavi, e shoqëroi Monën dhe delegacionin deri jashtë kampit.
Në dalje e sipër, Mona i propozoi zonjës Rajavi, një koalicion me LSI-në, për qarkun e Durrësit, meqenëse nga ky qark ka tradhëtuar, dezertori Lefter Koka.
- Po të duash, - i tha Monika në përcjellje, për këtë kam folur edhe me atë lart...hajde nja dy vjet bashkëkryetare e partisë LSI. Do të jemi mrekulli të dyja bashkë. Kur unë iki jashtë, mbetesh ti kryetare supreme e LSI-së, nuk ndihet fare mungesa ime!
Me këtë rast rregullohemi përjetë edhe me Amerikën edhe me Palmerin dhe me të gjithë emisarët amerikanë, në rajon dhe më gjerë.
- Faleminderit shumë zonja kryetare, - i'u përgjigj kryetarja e muxhahedinëve, por ne duhet të kthehemi në Iran, se po të ishte për në Shqipëri, merrnim LSI-në, PS-në, PD-në, pushtetin, dhe zgjeroheshim edhe në Ballkan.
- Për çdo bashkëpunim, - ndërhyri Monika në përmbyllje të takimit, nuk do të keni asnjë vështirësi, sepse punën e bën Petrit Vasili, ky burri që shikon këtu. Është nënkryetar i LSI-së, por për punë është kryetar mbi kryetarët, di t'i bëjë të gjitha. Flet për politikën, ekonominë, shëndetësinë, kulturën, sportin, reformën zgjedhore, Edi Ramën, showbizin, inceneratorët, koronavirusin, di të mbjellë edhe lule...shkurt nuk lë punë pa bërë në parti dhe halè pa trazuar në përgjithësi.
Gjatë përcjelljes, Monika prenotoi edhe një takim të muxhahedinëve me kryetarin e PD-së, Basha.
Në fund, pas një përqafimi të ngrohtë mes homologeve, delegacioni i rëndësishëm i LSI-së, u largua nga kampi, me shpresë të madhe, për fitoren e zgjedhjeve të parakohshme, që do të bëhen, në qershor të vitit 2021.
Ky takim padiskutim, sjell një erë të re gjeopolitike, jo vetëm për LSI-në, por edhe për opozitën shqiptare në përgjithësi.
/TPZ.al/Tej e këtej/