AKTUALITET, 3 Dhjetor 2018, 22:31

Modriç zbret nga “froni” Mesin dhe Ronaldon

“Topi i Artë” rikthehet në Ballkan pas 24 vitesh. Hristo Stoiçkov ishte “gjaknxehti” i fundit që kishte fituar çmimin prestigjioz. Bullgari triumfoi në vitin 1994, duke lënë pas një dyshe ikonike si: Roberto Baxho dhe Paolo Maldini.

Stoiçkov luante me Barcelonën dhe arriti të dërgojë Bullgarinë në gjysmëfinalet e Botërorit të zhvilluar në SHBA. Dështonte përballë Baxhos dhe Maldinit për të kaluar në finalen e madhe dhe dilte me kokën ulur përballë Maldinit në një tjetër finale të madhe, finalen e Ligës së Kampioneve (Milan-Barcelona 4-0). Megjithatë, ai ia doli të shpallej më i miri dhe t’i dhuronte emocione e krenari Bullgarisë së tij.

Sonte është nata e Luka Modriç. Në ndryshim nga Stoiçkov, ai është i “ftohtë”, i thjeshtë dhe modest, përveçse i super talentuar. 33-vjeçari kroat i Realit të Madridit ka arritur të thyejë “duopolin” Mesi-Kristiano Ronaldo. Dyshja e famshme kishte ndarë midis tyre 10 trofetë e fundit, ndërsa mesfushori arriti t’i jepte fund diçkaje të tillë.

Lajmi është zbuluar përpara zhvillimit të ceremonisë së ndarjes së çmimit. Një foto e renditjes përfundimtare ka filluar të qarkullojë në rrjetet sociale gjatë orëve të fundit, duke i dhënë fund përpara kohe dilemave të fituesit të “Topit të Artë” 2018.

Modriç është një nga futbollistët më të mirë në botë dhe e meriton pa dyshim këtë vlerësim. Unik në rolin e tij, cilësi dhe inteligjencë futbollistike të një niveli të lartë dhe shumë sakrifica për ekipin dhe shokët e skuadrës mes përulësisë dhe kilometrave pafund të përshkruara.

Talenti i tij është natyral, por puna për të mbërritur deri këtu nuk ka qenë e lehtë. Profesionalizëm dhe perfeksionim i stilit të lojës në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, me pak fjalë një futbollist “bio”. Gjithmonë njësoj, çdo ndeshje e më mirë. Kroati vjen nga një sezon i pabesueshëm! Champions-i i tretë rresht i fituar me Realin e Madridit dhe nënkampion bote me Kroacinë.

Të paharrueshme ndeshjet epike të ekipit kroat në Rusi, udhëhequr nga Daliç në pankinë dhe Luka në fushë. Lideri i heshtur ka fituar të gjithë çmimet individuale këtë vit, duke u shpallur lojtari më i mirë i Botërorit 2018, fitues i çmimeve të FIFA-s dhe UEFA-s për lojtarin më të mirë të vitit dhe tashmë fitimi i “Topit të Artë”.

Renditja e plotë:

1 – Luka Modriç (Kroaci, Real Madrid)

2 – Kristiano Ronaldo (Portugali, Juventus)

3 – Antuan Grizman (Francë, Atletiko Madrid)

4 – Kilian Mbape (Francë, PSG)

5 – Lionel Mesi (Argjentinë, Barcelona)

6- Mohamed Salah (Egjipt, Liverpul)

7 – Rafael Varane (Francë, Real Madrid)

8 – Eden Hazard (Belgjikë, Çelsi)

9 – Kevin De Bryjn (Belgjikë, Mançester Siti)

10 – Herri Kejn (Angli, Totenhem)

11 – N’Golo Kante (Francë, Çelsi)

12 – Nejmar (Brazil, PSG)

13 – Luis Suarez (Uruguai, Barcelona)

14 – Tibo Kurtua (Belgjikë, Real Madrid)

15 – Pol Pogba (Francë, Mançester Junajtid)

16 – Serxhio Aguero (Argjentinë, Mançester Siti)

17 – Garet Bejl (Uells, Real Madrid)

17 – Karim Benzema (Francë, Real Madrid)

19 – Roberto Firmino (Brazil, Liverpul)

19 – Ivan Rakitiç (Kroaci, Barcelona)

19 – Serxhio Ramos (Spanjë, Real Madrid)

22 – Edinson Kavani (Uruguai, PSG)

22 – Sadio Mane (Senegal, Liverpul)

22 – Marcelo (Brazil, Real Madrid)

25 – Alison Beker (Brazil, Liverpul)

25 – Mario Manxhukiç (Kroaci, Juventus)

25 – Jan Oblak (Polonia, Atletiko Madrid)

28 – Diego Godin (Uruguai, Atletiko Madrid)

29 – Isko (Spanjë, Real Madrid)

29 – Hugo Loris (Francë, Totenhem)