BOTA, 21 October 2026, 16:41

Macron sulmon liderët e huaj pas trazirave në Francë: Po e shfrytëzojnë vendin tonë për fushatë politike!

Macron sulmon liderët e huaj pas trazirave në Francë: Po e

Presidenti francez, Emmanuel Macron, kritikoi ashpër të mërkurën disa liderë të huaj, të cilët i akuzoi se po shfrytëzojnë trazirat në Francë për qëllime politike dhe elektorale.

Gjatë deklaratave të tij, Macron la të kuptohet se kritikat u drejtoheshin edhe presidentit amerikan, Donald Trump, dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, megjithëse nuk i përmendi drejtpërdrejt me emër.

Sipas gazetës franceze Le Figaro, duke folur në një konferencë për shtyp në Doha, Macron denoncoi përpjekjet për manipulimin e informacionit nga jashtë, pas episodeve të dhunshme të regjistruara gjatë fundjavës në Francë.

“Ka pasur manipulim të informacionit nga jashtë, i cili ka çuar në komente po aq të papranueshme sa edhe të pamenduara nga shumë persona, përfshirë edhe liderë të huaj”, deklaroi presidenti francez.

Macron argumentoi se disa politikanë po i përdorin ngjarjet e fundit në Francë në kuadër të përplasjeve elektorale, si në rajonin më të gjerë, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara.

“Ka njerëz që bëjnë fushatë elektorale në kurriz të Francës, liderë që ndodhen në periudhë zgjedhore në rajon ose në anën tjetër të Atlantikut”, u shpreh ai.

Presidenti francez kritikoi gjithashtu mënyrën se si disa liderë dhe politikanë marrin dhe shpërndajnë informacione në internet, duke paralajmëruar për rrezikun e përhapjes së përmbajtjeve të manipuluara, përfshirë ato të krijuara me inteligjencë artificiale.

“Disa herë, në mënyrë naive, ata përvetësojnë atë që shfaqet përmes inteligjencës artificiale ose ritransmetojnë atë që qarqe të caktuara duan, padyshim, t’i bëjnë njerëzit të besojnë”, shtoi Macron.

Deklaratat e presidentit francez vijnë pas trazirave të regjistruara gjatë fundjavës në Francë dhe debatit që pasoi në arenën ndërkombëtare. Macron vuri në pikëpyetje mënyrën se si këto ngjarje po interpretohen dhe përdoren nga aktorë të huaj për të ndikuar në opinionin publik dhe për të avancuar interesat e tyre politike.