BOTA, 18 October 2026, 12:47

Sulme masive me dronë ukrainas, goditen një objekt nafte, një urë dhe qendra të dhënash në Shën Petersburg

Sulme masive me dronë ukrainas, goditen një objekt nafte, një

Forcat ukrainase goditën një terminal nafte, një qendër të dhënash dhe një urë gjatë një sulmi në shkallë të gjerë të ndërmarrë gjatë natës kundër Shën Petersburgut më 18 tetor, njoftuan zyrtarë dhe media ruse.

Media shtetërore ruse raportoi se dronë ukrainas goditën Terminalin e Naftës në Shën Perersburg dhe një qendër të dhënash që i përket kompanisë ruse të rrjeteve sociale, VKontakte, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Aleksandr Drozdenko, guvernator i Rajonit të Leningradit, deklaroi se 127 dronë ukrainas u rrëzuan mbi këtë rajon. Mbetjet e dronëve dëmtuan katër automjete në një parking, ndërsa në disa vende u raportuan zjarre.

Guvernatori i Shën Petersburgut, Alexander Beglov, konfirmoi sulmin, duke raportuar zjarre në Terminalin e Naftës të Shën Petersburgut, në depon e naftës "Ruchyi" dhe në magazina industriale në distriktin Kolpinsky.

Sipas Beglovit, një person humbi jetën dhe pesë të tjerë u plagosën, ndërsa 12 ndërtesa banimi dhe dy shtëpi pësuan dëmtime.

Megjithatë, "The Kyiv Independent" thotë se nuk mundi t'i verifikonte në mënyrë të pavarur objektivat apo shkallën e dëmeve në momentin e publikimit të lajmit.

Ndërkohë, vë në pah ky medium, kanalet ukrainase të monitorimit, "Exilenova+" dhe "Supernova+", raportuan se sulmi "masiv" me dronë filloi në orën 02:50 me orën lokale.

Këto sulme ndodhin pasi përpjekja e presidentit amerikan Donald Trump për një "armëpushim energjetik" midis Rusisë dhe Ukrainës dështoi të parandalonte goditjet ndaj infrastrukturës energjetike.

Media e pavarur ruse "Astra" raportoi gjithashtu se gjatë sulmit u godit një nënstacion elektrik. Sipas kësaj agjencie, në rajon u raportuan ndërprerje të energjisë dhe presion i ulët i ujit, si dhe një ndërtesë apartamentesh u dëmtua.

Sulmi i raportuar në qendrën e të dhënave të VKontakte shënon sulmin më të fundit ndaj infrastrukturës ruse të internetit.

Forcat ukrainase kanë goditur disa qendra të të dhënave Yandex në javët e fundit, pas premtimit të presidentit Volodymyr Zelensky se Ukraina do të "përgjigjej në të njëjtën mënyrë" ndaj sulmeve ruse ndaj qendrave të të dhënave të Ukrainës.

Ukraina ka synuar vazhdimisht Shën Petersburgun, qytetin e dytë më të madh të Rusisë, disa herë gjatë luftës në shkallë të plotë.

Më 4 korrik, forcat ukrainase goditën dhe dëmtuan Terminalin e Naftës së Shën Petersburgut në një sulm gjatë natës.

Ndërsa Moska intensifikon sulmet e saj ndaj infrastrukturës civile dhe energjetike të Ukrainës, Kievi ka vazhduar të godasë vende thellë në Rusi.

Sulmet e shumta nga dronë ukrainas kanë ndërprerë trafikun ajror rreth Moskës dhe kanë dëmtuar qendrat e të dhënave në rajonin e kryeqytetit në ditët e fundit.