TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ennio Dybeli është i pari shqiptar që bëhet pjesë e headquarter-it në kompaninë “Apple” në Kaliforni. Gjeniu 28-vjeçar i elektronikës është pjesa e stafit të ngushtë të designer pas një oferte fantastike. Djaloshi që lindi dhe u shkollua në Tiranë në të gjitha ciklet e arsimit shqiptar ka arritur një super sukses falë talentit dhe përkushtimit. Historia e veçantë e gjeniut që në adoleshencë kishte idhull Steve Jobs pa e mendur se një ditë do punonte në stafin e ngushtë të “Apple” që Jobs la pas vdekjes. Një portret dhe rrëfim i rrallë nga vetë Ennio Dybeli si dhe një këshillë për kryeministrin Edi Rama: Dëgjo vetëm të rinjtë!
Nga Roland Qafoku
Në headquarter-in e kompanisë “Apple” në Kaliforni, të themeluar nga Steve Jobs, së fundmi punon edhe një djalë shqiptar. Mes 154 mijë punonjësve që ka gjigandi elektronik dhe me të ardhura 370 miliardë dollarë në vit, 28-vjeçari Ennio Dybeli mund të quhet gjeni. Prej disa javësh ai është bërë pjesë e stafit të ngushtë të designer-ave dhe është shqiptari i parë që arrin në këtë nivel. Nuk është emigrant. Nuk është klandestin. Madje nuk është diplomuar as në SHBA, e as në ndonjë shtet tjetër të Evropës Perëndimore. Edukimi i tij ka ndjekur ciklin tradicional vetëm në kryeqytetin shqiptar. Mbaroi shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku”, të mesmen “Harry Fultz”, u diplomua në Fakultetin e Shkencave në Universitetin e Tiranës dhe pas kësaj jeta e tij u ngrit si raketë. Që nga Tirana u interesuan për të, që punonte në Barcelonë si pjesë e kompanisë “Typeform” dhe kompanisë amerikane “Skyscanner” dhe prej suksesit aty, mori një superofertë nga kompania me simbolin mollën e kafshuar “Apple”. Që prej asaj dite që hodhi firmën në kontratë, sa herë që të shikojmë në ekranin e një kompujteri apo celulari ikonat e këtij gjigandi, duhet të mendojmë se në designer-in e tyre ka dorë edhe shqiptari Ennio Dybeli.
SI U NGRIT NJË YLL
Ennio Dybeli ishte vetëm 14 vjeç kur dëgjoi për herë të parë për çuditë e gjeniut amerikan Steve Jobs. Ishte i etur të dëgjonte për të, të lexonte për të dhe ndonëse ende adoleshent të ndiqte një rregull që Jobs e kishte motiv në jetë: Suksesi vjen tek ata që janë shumë të zënë duke e kërkuar atë. Dhe djaloshi nga Tirana po ecte në këtë gjurmë. Ndryshe nga moshatarët e vetë në Tiranë Ennio pati kurajon të ndiqte intuitën dhe jo dogmat apo rregullat idiotë “mos këtë e mos atë”. Pati intuitën të ndiqnte pasionin në vend të shpenzimit pa vlerë të kohës, të ndiqte dëshirën duke e plotësuar atë me mundësinë që po i krijohej hap pas hapi. Ishte një oqean i tërë mes artit dhe designer, por ai ia doli falë talentit po e po, por sidomos punës.
“Nuk kam qenë i prirur shumë në matematikë por kam pasur kureshti. Jo veçanti të rrallë. Njohuritë në Shqipëri nuk ndryshojnë shumë me vende të tjera”
Ishte 13 vjeç aq sa edhe Steve Jobs kur ëndërronte të prodhonte kompjutera, ndërsa Ennio Dybeli se si të dizenjonte postera, afishe dhe cover-a. Mbi të gjitha “A”-ja e gjithçka ka qenë mësimi shumë mirë i gjuhës angleze që shërbeu si një dritare. Sikur ta ndjente që një ditë do përballej me kulturën amerikane apo vetëvetiu po ndiqte rregullin se një njeri i edukuar vetëm në shkollë është i paedukuar. Ennio tregon se nuk ka qenë ekselent, madje nuk ka qenë i preferuari i mësuesëve:
“Jam mësuar vetë, jo nga shkolla. Ka qenë në fakt një përzierje në shkollë dhe në kurse. Nga tre ciklet, shkolla shqiptare nuk të mësonte shumë për teknologjinë por mësoja ato që nuk t’i mësonin.”
Në mësime spikatja ka qenë një përzierje mes matematikës dhe letërisë. Dhe cilët janë ata që kanë ndikuar te formimi i Ennio Dybelit? Përgjigjja është befasuese: Teknologjia në shkollën e mesme “Harry Fultz” dhe shkrimtari Ismail Kadare në letërsi. Shkolla teknike i dha teknikën për të njohur elektronikën dhe romanet e Kadaresë, veçanërisht “Kështjella”, i dha teknikën për të shprehur bukur një histori. Pasionanti i kompjuterave thjesht provoi të konkurojë dhe garojë me moshatarët e vetë vetëm nëpërmjet internetit. Pas një përvoje në Barcelonë në kompaninë “Typeform” dhe “Skyscanner”, arriti majën duke u bërë pjesë e “Apple”. Prej gjashtë vitesh aty jo thjesht mësoi një profesion, por perfeksionoi gjithçka që ka të bëjë me fushën e designer. Dhe më në fund erdhi edhe shpërthimi i madh. Kompania “Apple” i bëri një ofertë befasuese. Sigurisht që i erdhi mirë, por në fillim Ennio nuk pati ndonjë ngazëllim. Puna në kompaninë “Typeform” dhe “Skyscanner” dhe jeta komode në Barcelonë ishin të tilla që i kishin krijuar një stabilitet. Kishte lënë Shqipërinë për Spanjën dhe kjo ishte jo pak. A duhej të linte Barcelonën dhe të shkonte në Kaliforni? Por a mund të shpërfillej “Apple”? Për disa javë udhëtimi nga Barcelona e Spanjës në Kupertinon e Kalifornisë u bënë të shpeshta derisa një ditë një nga shefat i vuri përpara një kontratë. Ajo firmë që hodhi aty ishte ndoshta firma e jetës.
“Kur hyra ditën e parë të punës në ‘Apple’ ishte kënaqësi sepse ka një impakt të madh. Por ama nuk kisha ndonjë emocion të veçantë sepse e njihja këtë lloj pune. Nuk kisha një shok të madh. E kisha kaluar në Barcelonë mitin e iluzionit”.
Kur të shtypni ikonën “App store”, fiks po aty është dora e Ennios tonë shqiptar. Për këtë punon skuadra prej 10 vetë dhe një prej tyre është djaloshi nga Tirana. Për ta shpjeguar më fjalë të tjera kjo është skuadra pasardhëse e atyre që më 24 janar 1984 themeluan kompjuterin e parë modern “Macintosh”. Në skuadrën prej 10 gjenish në godinën qendrore me 10 mijë punonjës janë koreanë, anglezë, austriakë, polakë, turq. Për të gjitha ka nga një perceptim, por për Ennion ishte e tmerrshme që për një shqiptar nuk kishte asnjë perceptim. Tregon se e ngatërronin me armen, apo turk. E megjithatë, tashmë që kanë kaluar disa javë, Ennio shqiptari ka krijuar në stafin e ngushtë jo vetëm perceptimin për shqiptarët. Dhe për cilësitë dhe pozitvitetin që zotëron Ennio jemi me fat se apple-stat mendojnë që shqiptarët janë të qetë, shumë të aftë, socialë dhe kanë aftësi të punojnë në grup. Nuk ka rëndësi se ne mund të mendojmë ndryshe për veten tonë. Tashmë Ennio Dybeli e ka krijuar mitin e shqiptarit në kompaninë “Apple”. Themeluesi dhe drejtori i parë i “Apple” Steve Jobs kishte një rregull në punë: Gjërat e mëdha në një biznes nuk bëhen kurrë nga një njeri i vetëm, por nga një grup njerëzish. Dhe kjo devizë funksionon edhe sot që ai nuk jeton më. Ennio tregon se aspekti social dhe bashkëpunues si në “Apple” nuk ndodh në kompanitë e tjera që janë shumë agresive. Për Ennion kjo duket si një “old school” por ama është e famshme dhe rezultative.
PRINDËRIT, ATA QË E MBËSHTETËN
Mirela dhe Haxhi Dybeli janë prindërit më të lumtur në botë për atë që kanë arritur me dalin e tyre. Suksesi i Ennios tani që është i rritur është prova më e mirë se si ata e kanë edukuar atë kur ishte fëmijë. Dhe Ennio e shpreh në ekstrem mirënjohjen ndaj prindërve teksa thotë:
“Mami dhe babi kanë ndikuar shumë tek unë për faktin se kanë qenë mendjehapur. Më kanë lënë të lirë t’i ndiqja dhe vazhdoja pasionet e mia. Asnjëherë nuk më ndërprenë interesat dhe kishin besim te mua”.
Dhe tani që ka arritur një gjë jo të vogël në jetë jep për prindërit dy përcaktime që kur ata t’i lexojnë padyshim që nuk do mbajnë lotët. Përkujdesja e mamasë dhe mbështetja e babit për t’i bërë gjërat vetë janë dy modelet që sipas tij e kanë ndjekur në jetë. Provojmë të bisedojmë për këtë çështje me të dy prindrit e Ennio Dybelit. Si fillim kuptojmë se për çfarëdo ta pyesësh Haxhi Dybelin ai të jep përgjigje vrik. Por kur i zëmë në gojë të birin Ennion emocionohet shumë dhe pamjes në fytyrë i jep një lumturi të veçantë. Edhe pse duket hapur sa i dhënë ka qenë dhe mbetet me të birin modestisht thotë:
“Ato që ka arritur është vetëm meritë e Ennios. Ai realizoi ëndrrën që kishte. Nga mua si baba nuk i mungonin ato që i duheshin, kompjuterat. Por gjithçka është arritur nga puna dhe talenti i tij”.
Akoma edhe më e lumtur është nëna e Ennios. Mirela tregon se që kur ishte fëmijë ai ishte tip i qetë, i dashur, vizatonte dhe krijonte sipas fantazive te tij. Kësaj i shton faktin se më vonë qendronte me orë të tëra duke gdhirë në dhomën e vet duke prodhuar muzikë elektronike duke mësuar fotoshopin dhe kështu deri sa e gjeti veten të bënte atë që i pëlqente më shumë: designer. Për Mirelën suksesi i Ennios lidhet me gjërat e bukura si pasioni, durimi dhe këmbëngulja për të arritur maksimumin por mbi të gjitha thjeshtësia që ka. Për rolin e saj në suksesin e Ennios e ëma, Mirela, është në sinkron me të të atin, Haxhiun:
“Ne si prindër kemi dashur që ai te vazhdonte IT (Information Technology) dhe për këtë e kemi regjistruar në shkollën “Harry Fultz” për elektronikë. Por ndërkohë ai vazhdonte me shumë pasion dhe durim me orë të gjata të dizenjonte dhe të bënte gjëra shumë të bukura. Mendoj që këto të dyja shkuan shumë mirë me njëra-tjetrën. Unë isha personi i parë që m’i tregonte dhe isha “uauu” shumë e befasuar dhe shumë e lumtur kur shihja punët e tij. Ne e kemi lënë të lirë të bënte atë që i pëlqente më shumë dhe ai na ka bëre gjithmonë të ndihemi më tepër se krenarë për të”.
Tani i bëjmë disa pyetje alla shqiptare të tipit: a të merr malli për mamin dhe babin? Dhe për mamanë ai gjithçka e lidh me gatimin teksa thotë se përpiqet të gatuajë po ato që gatuante nëna e tij në Shqipëri. “Mundohem t’i riprodhoj, por nuk e arrij dot”, thotë dhe me humor shton se fastfood-i: bukë, vaj ulliri dhe djath nuk i harron asnjëherë. Ndërsa për të atin thotë se i ka marrë cilësinë që vlerëson më shumë: të bërit shumë për të tjerët.
DJALOSHI QË KISHTE IDHULL STEVE JOBS
Ennio Dybeli ndiqte regullin e gjeniut që ndonëse e mbaroi shkollën nuk ishte një nxënës apo student ekselent. Idhulli i tij ishte Steve Jobs pa e menduar se një ditë do punonte në kompaninë “Apple” që ai themeloi dhe në headquarter-in që drejtoi:
“ Isha fans i muzikës elektronike. I kërkova babit një kompjuter “Apple” dhe në vitin 2011 ai më bleu një laptop. Kushtoi jo pak por ama ia vlejti. Gjithçka që unë bëja ishte një përzierje midis teknologjisë dhe mendimit analitik”
Ennio e përsërit disa herë që ishte vërtetë e rrallë që një shqiptar që ka bërë të gjitha ciklet e shkollës në Tiranë një ditë të punësohet në “Apple”. Por ama sipas tij ka qenë me fat që ka jetuar në Tiranë dhe specifikisht në qendër të saj. Dhe për këtë është i bindur se po të kishte lindur larg Tiranës nuk do kishte mundur të ndiqte pasionet elektronike.
Sa të lumtur ishin prindërit Haxhi dhe Mirela Dybeli kur në orën 18.40 të 24 marsit 1994 në maternitetin e vjetër lindi fëmija e tyre. Fëmijëria kaloi mes lojrave dhe pasioneve të moshës. I ati, Haxhiu, tregon se arsimin e nisi në shkollën “Lidhja e Prizrenit dhe më pas në shkollën “Emin Duraku”. Sapo kishin dalë kompjuterat e parë në Tiranë dhe ndër klinetët e parë ishte edhe Ennio. I ati tregon se vinte re diçka që nuk e kishte parë te moshatarët e vet. Kishte dëshirë të rrinte shumë në sallat e internetit dhe kostoja 200 lekë të rinj ora ishte një faturë jo e vogël për kohën. Adresa e e-mail [email protected] duhet të jetë edhe ndër të parat në Tiranë që mund të ketë pasur një shqiptar veçanërisht për moshën e tij. Por Ennio kishte lindur për të qenë gjeni. Ishte në vitin e dytë të gjimnazit në Institutin “Harry Fultz” kur ai fitoi paratë e para në jetën e vet. Krijoi designer elektronik për një biznes dhe u pagua 20 mijë lekë të rinj, që në vitin 2011 ishte jo pak për kohën. Por Steve Jobs e ndoqi ngado. Edhe në shkollën e mesme “Harry Fultz” vijoi programimin. Diplomimi në Shkencat e Natyrës për Informatikë ishte një gjë, por jo gjithçka. Ai u kontaktua nga kompania “Typeform” në Barcelonë nëpërmjet internetit dhe filloi punë aty më 6 gusht 2016. Pasi punoi tre vite aty, më 2019 fillon punë në kompaninë britanike “Skyscanner”. Ishte ky çasti që ndau përfunimisht të ardhmen në jetën e tij. Aty fitoi të drejtën për të punuar dhe që nga ai çast deri në fillim të vitit 2022 ishte pjesë e kësaj kompanie. Hija e idhullit të vet Steve Jobs e ndiqte përherë por pa e menduar kurrë se një ditë një e-mail do t’i ndryshonte sërish jetën. Kompania “Apple” kishte vlerësuar punën e tij në designer dhe i ofroi një bisedë për të vijuar punën atje. Kaloi gjashtë ditë në Kaliforni me intervista dhe biseda dhe nga ky çast ai u bë pjesë e saj. Dhe kurrë ama nuk harroi teknologjinë që ishte talenti dhe pasioni tij si dhe letërsinë e Kadaresë që ndikoi të shprehë idetë dhe fantazinë. Një shkrimtar aq i madh që e ka nxjerrë një komb i vogël si Shqipëria dhe për të cilin Ennio shpreh dëshirë ta takojë një ditë. Edhe këtu po ashtu si idhulli Steve Jobs kur thoshte se do jepte të gjithë teknologjinë e “Apple” për të kaluar një pasdite me Sokratin.
SLLOVENIA QË I RRËMBEU ZEMRËN
Zor se mund të gjesh histori lidhjesh shqiptarësh me sllovenë. Dashuri ose martesa të tilla, ose janë pak, ose aspak. Në ndihmë na vjen poeti i komunizmit Aleks Çaçi me një poezi të rrallë pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë kohës së dashurisë së Shqipërisë së Enver Hoxhës me Jugosllavinë e Josif Titos. Titulluar “Sllovenia” Çaçi përshkruan me vargje një dashuri naive me emocione rurale dhe me vargje që më shumë vijnë në formë bejtesh. Ti erdhe që nga fundi i Sllovenisë/ Tunelin e Vranikut bëre jetë/ Shikoni hekurudhën e Rinisë/ Si ecën nëpër male dhe si shket/ Me pluhur në fytyrë dhe në ballë/ U ktheve nga tuneli duke qeshur/ Mos malli të ka zënë shoqe vallë/ Për jetën që po vjen me lule veshur./ U lave me burimin e kulluar/ Dhe mblodhe me nxitim ca lule shqerre/ I puthe dhe i more nëpër duar/ Pastaj me këngë i vure në penxherë.
E botuar në revistën “Literatura Jonë” të muajit korrik 1947, kjo poezi u ndalua të publikohej dhe të lexohej madje. U zhduk nga të gjitha tekstet dhe sigurisht u zhduk edhe dashuria e shqiptarit dhe sllovenes komunistë. Por pas afër 7 dekadash, në një formë krejt tjetër, një shqiptar dhe një sllovene janë lidhur në dashurinë e tyre si për të përmbysur mitin se shqiptarët dhe sllovenët nuk kanë kështu historish. Vajza quhet Maja Cerar dhe për shqiptarin Ennio nga Tirana ajo është dashuria e jetës. U njohën kur të dy punonin në Barcelonë në kompaninë “Typeform” dhe të dy tashmë kanë fituar të drejtën të punojnë në kompaninë “Apple”. Sigurisht që ata i kanë bashkuar shijet dhe pasionet e njëjta por nuk mund të mos bëjmë bashkë edhe faktin se janë të dy nga Ballkani dhe pavarësisht disa dallimeve, kulturat e gadishullit mbetet me pak ndryshime. Maja e njeh Shqipërinë tashmë nëpërmjet Ennios, por për të “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë dhe “Të Lirë” i Lea Ypit janë super vepra.
GJENIU ENNIO DHE SHQIPËRIA
Ennio i Apple një ditë mund të jetë Ennio i një marke shqiptare. Jo në kuptimin e mirëfilltë të fjalës por që një ditë mund të jetë duke punuar edhe në Shqipëri. I mban ende kontaktet me miqtë e vjetër në Tiranë dhe lexon pothuajse çdo ditë për ato që ndodhin në Shqipëri. Vlerëson pa masë homologët në Tiranë në fushën e programimit për të cilët thotë se nuk kanë diferenca të mëdha me të njëjtët në Evropë dhe SHBA. Njeh me emra ata 10-20 designer që punojnë në Shqipëri dhe mes tyre veçon shokun e ngushtë Vasjen Katro që sipas tij është një aset në fushën e vet. Por Ennion, si dhe ne që jetojmë këtu, e shqetëson shumë hemoragjia e popullsisë, veçanërisht e rinisë. Madje edhe Vasiani mund të ikë një ditë. Ai jep arsyet e veta të këtij largimi me të cilin Shqipëria i ngjan orës me rërë:
“Nuk ikin për arsye të qeverisjes. Sigurisht që ka ndikim edhe qeverisja. Por arsyet janë më të thella. Ka shumë pesimizëm dhe mentaliteti i të rinjve është që nuk presin. Kjo lidhet me mënyrën se si e shikojnë jetën. Për mendimin tim të rinjtë në Shqipëri nuk janë të vetëdijshëm që i kanë aftësitë.”
Kur i kujtojmë se një prej atyre që janë larguar është edhe ai, Ennio e pranon se do ta kishte shumë të vështirë në terrenin shqiptar, por ama nuk e fsheh dëshirën që një ditë të kthehet dhe të punojë në vendin ku lindi dhe u rrit. Dhe i jep vetes një lajm në formë zotimi teksa thotë se një ditë do të donte të jepte një kontribut në vendin e vet. Jo të kërkojë punë në administratë apo të futej në politikë por të ketë një aktivitet të vetin në fushën e programimeve. Kur ta lexojë këtë lajm e ëma dhe i ati do hidhen përpjetë. E megjithatë kur e pyesim nëse ka dëshirë të kthehet, e ëma thotë vetëm se i uron të jetë i lumtur dhe të bëjë punën që i pëlqen, të tjerat nuk kanë rëndësi. Si një specialist mes artit dhe elektronikës Ennio shprehet i pezmatuar për arkitekturën e objekteve në Tiranë që sipas tij ndikojnë edhe në anën mendore të banorëve. “Me të tilla forma, më keq nuk shkon”, thotë. Por përvoja që po akumulon një ditë mund të jetë e dobishme në terrenin e ashpër shqiptar. Vlerëson jashtë mase bukuritë natyrore të Shqipërisë por shpreh keqardhje se shqiptarëve nuk u jepet mundësia t’i shijojnë këto bukuri pa qenë të sforcuar. Dhe mungesa e indiferencës për Shqipërinë duket kur e pyesim se cila do ishte një këshillë që do t’i jepte kryeministri Edi Rama nëse do i kërkohej, gjeniu e lidh gjithçka me rininë:
“Të dëgjojë, të dëgjojë të rinjtë, dhe sidomos zërat më të heshtur midis tyre. Mendoj se të dëgjuarit është hapi i parë dhe më i rëndësishëm për të zgjidhur problemet që kanë”. përndjekur njerzit dhe familjet tona nder dekada. Të dëgjuarit me dëshirën më të sinqertë për të identifikuar dhe kuptuar thellësisht problemet, e jo për të gjykuar”.
Ku i dihet. Me stilin që ka kryemnsitri Edi Rama, edhe mund ta telefonojë dhe të bisedojë me gjeniun nga Tirana. Ennio Dybeli nuk është krenari vetëm e mamit dhe e babi