LIFESTYLE, 25 Prill 2022, 17:51

Marrëveshja drejt finalizimit, Elon Musk pritet të blejë të gjithë aksionet e Twitter për më shumë se 41 miliardë dollarë

Marrëveshja drejt finalizimit, Elon Musk pritet të blejë të

Kompanisë Twitter thuhet se po i afrohet një marrëveshjeje për t’i shitur të gjitha aksionet miliarderit Elon Musk, sipas The New York Times. Ky lajm vjen 11 ditë pasi CEO i Tesla dhe SpaceX tronditi industrinë e mediave sociale duke ofruar blerjen e kompanisë në një marrëveshje që e vlerësonte atë në më shumë se 41 miliardë dollarë.

Marrëveshja mund të finalizohet sa më shpejt të hënën, ndërkohë që Twitter nuk pranoi të komentojë mbi raportet e publikuara.

Marrëveshja shihet gjithmonë e më afër, pasi Musk zbuloi javën e kaluar se kishte mbledhur 46.5 miliardë dollarë financim për të blerë kompaninë.

Bordi i Twitter u mblodh të dielën për të vlerësuar ofertën e Musk.

Marrëveshja e mundshme e shitjes mbyll një cikël lajmesh të stuhishme që filloi më pak se një muaj më parë, kur Musk zbuloi se kishte blerë më shumë se 9% të aksioneve të kompanisë dhe nxiti thirrjet për ndryshime në platformën e mediave sociale.

Pyetjet nëse Musk do të ishte në të vërtetë në gjendje të financonte blerjen e tij u sollën në ditët pas ofertës së tij për blerje, veçanërisht pas intervistës së dhënë prej tij pas blerjes së 9% të aksioneve.

“Nuk jam i sigurt se do të jem në të vërtetë në gjendje të blej”, deklaroi fillimisht Elon Musk.

Nëse miratohet, marrëveshja do ta vendosë njeriun më të pasur në botë në krye të një prej platformave më me ndikim të mediave sociale në botë. Musk ka theksuar vazhdimisht ditët e fundit se qëllimi i tij është të forcojë fjalën e lirë në platformë dhe të punojë për të “zhbllokuar” “potencialin e jashtëzakonshëm” të Twitter.

“Kam investuar në Twitter pasi besoj në potencialin e tij për të qenë platforma për fjalën e lirë në mbarë globin dhe besoj se liria e fjalës është një imperativ shoqëror për një demokraci funksionale”, tha Musk në letrën e tij të ofertës në Twitter.

“Megjithatë, që kur kam bërë investimin tim, tani e kuptoj se kompania as nuk do të lulëzojë dhe as nuk do t’i shërbejë këtij imperativi shoqëror në formën e tij aktuale. Twitter duhet të transformohet si një kompani private”, deklaroi Musk.