LIFESTYLE, 25 Prill 2022, 11:11

Nga një yll skenik në një pedagoge e suksesshme, rrëfehet këngëtarja shqiptare

Nga një yll skenik në një pedagoge e suksesshme, rrëfehet

Adelina Emini është një ndër këngëtaret më të dashura të ekranit shqiptar por kohët e fundit është tërhequr disi nga muzika. Ka vite që nuk është shumë aktive në skenën muzikore por jo pa arsye. Adelina i ka kushtuar shumë rëndësi profesionit si ekonomiste.

Këngëtarja, në një intervistë që dha për emisionin “Abc-ja e mëngjesit” me moderatorin Alban Musa, tregoi se tashmë është në përfundimin e doktoraturës në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës. Mes këngës dhe ekonomisë, kë do të zgjidhte Adelina?

“Profesioni im është ekonomistja. Është shumë më e gjatë dhe stabil, kam menduar që të zhvillohem në këtë drejtim dhe që të mos ndahem nga kënga. Jam munduar brenda vitit që të realizoj një klip dhe kaq.”, tha Emini duke iu përgjigjur pyetjes së moderatorit.

Adelina u shpreh e lumtur gjithashtu dhe për mundësinë që i është ofruar për të kryer një specializim në Universitetin Shtetëror të Floridas. Mes të tjerash, ajo u ndal dhe te surpriza që i bëri së ëmës për ditëlindje. Bëhet fjalë për një këngë, për të cilën tha se ideja i kishte lindur kur ndodhej në Amerikë.

“I thashë se do të dëgjojmë një këngë që kam realizuar. Nuk ia kishte idenë se çfarë kënge. Kur i vendosa kufjet, iu mbushën sytë me lot dhe kërkoi ta dëgjojë sërish. E pashë se ishte e emocionuar. Mora ekipin për ta xhiruar këtë moment. Ofshama e saj në fund të këngës e tregon më së miri se sa e ka përjetuar.

Ishte një dhuratë e vogël për të në krahasim me sakrificat që ka bërë.”, tregoi Adelina.