AKTUALITET, 20 July 2026, 13:00

Kuvendi/ “Ju jeni zhgarravina”, Noka sulmon ashpër socialistët: Po e shndërroni Parlamentin në palo institucion

Pas fjalës së kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, në seancën plenare, ka reaguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka.

Noka ka kërkuar futjen në rendin e ditës të kërkesave të demokratëve, duke deklaruar se ato përputhen me kërkesat e protestuesve. Ai ka kritikuar mazhorancën për mënyrën e trajtimit të kërkesave të opozitës dhe ka ashpërsuar gjuhën ndaj socialistëve.

“Kjo që po ndodh është turp për çdo parlament. Ju solli grupi një kërkesë dhe e trajtoni me urgjencë, ndërsa një kërkesë të grupit tonë, kërkesë që përputhet plotësisht me protestat, ju e neglizhoni dhe i hidhni në kosh. Ata janë qytetarë, kjo është opozita e vendit. Po e shndërroni Kuvendin në palo Parlament. Po shndërrohet në institucionin më të poshtëruar”, tha Noka.

Duke vijuar replikën e tij, Noka përdori edhe tone të forta ndaj deputetëve socialistë.

“Ju jeni zhgarravina, s’doja t’ju thoja, por s’kam ç’bëj. Fut me urgjencë në rend dite kërkesat tona”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PD-së.

Debatet në Kuvend nisën që në fillim të seancës, ku opozita ka kërkuar që çështjet e saj të përfshihen në rendin e ditës.