AKTUALITET, 6 November 2026, 11:02

Buxheti 2027/ Ministri Karakaçi: 35.15 miliardë lekë për rrugët, financim për projektet madhore dhe investimet e reja

Buxheti 2027/ Ministri Karakaçi: 35.15 miliardë lekë për

Projektbuxheti i vitit 2027 parashikon 35.15 miliardë lekë për infrastrukturën rrugore, me fokus përfundimin e projekteve në proces, përshpejtimin e punimeve dhe nisjen e investimeve të reja në të gjithë vendin.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se dy prej projekteve kryesore, autostrada Tiranë–Durrës dhe aksi Tiranë–Ndroq–Plepa, do të financohen tërësisht nga buxheti i shtetit, me synim përshpejtimin dhe përfundimin e tyre në një kohë sa më të shkurtër.

Ndërkohë, bypassi i Elbasanit do të kalojë në një skemë të re financimi përmes buxhetit të shtetit, duke krijuar mundësi për vijimin dhe realizimin e projektit.

Në fokus të investimeve për vitin 2027 do të jenë edhe Korridori VIII dhe Korridori Blu. Për këtë të fundit, ministri bëri të ditur se po vijon puna përmes projekteve koncesionare, përfshirë segmentet Kashar–Rrogozhinë, Lekaj–Fier dhe Milot–Balldren.

Sipas Karakaçit, punimet në segmentin Kashar–Rrogozhinë pritet të nisin në fund të këtij viti, ndërsa për segmentet Lekaj–Fier dhe Milot–Balldren autoritetet janë pranë nënshkrimit të kontratave, që do t’i hapin rrugë finalizimit të projekteve të zbatimit dhe nisjes së punimeve.

Projektbuxheti përfshin edhe investime të reja, si hyrja veriore e Tiranës, që parashikon bypass-in e Kamzës, rruga Berat–Skrapar, si dhe hyrja verilindore e kryeqytetit, e cila do të krijojë lidhjen me Rrugën e Arbrit.

Gjithashtu, Autoriteti Rrugor Shqiptar po shqyrton mundësitë e financimit për tre projekte të tjera: rrugën Koplik–Bogë–Theth, Rrugën e Vjosës dhe lidhjen Rrëshen–Mirditë.

Ministri Karakaçi theksoi se objektivi i qeverisë është zhvillimi i një infrastrukture rrugore moderne, më të sigurt dhe të qëndrueshme, që përmirëson lidhjen mes qyteteve dhe rajoneve, si dhe integrimin e Shqipërisë në rrjetet evropiane të transportit.

Projektbuxheti i vitit 2027 synon kështu të mbështesë jo vetëm investimet e planifikuara për vitin e ardhshëm, por edhe strategjinë afatgjatë për zhvillimin e infrastrukturës rrugore në vend.