AKTUALITET, 2 September 2026, 13:02

Kritike/ Zjarret në Ulëz, evakuohet një familje dhe digjen 3 banesa! Luftë me flakët nga toka dhe ajri

Situata e zjarreve në Mat vijon të mbetet kritike edhe ditën e sotme (2 shtator).

Nga Emergjencat është bërë evakuimi i një familjeje, për shkak të rrezikut nga përhapja e flakëve.

Zjarri ka përfshirë edhe tre banesa të pabanueshme në fshatrat Lundre, Madhesh dhe Stojan, në Njësinë Administrative Ulëz, pjesë e Bashkisë Mat.

Ndërkohë, rrezik paraqitet edhe për dy stane bagëtish gjedhe. Sipas informacioneve nga terreni, pronarët e tyre nuk kanë pranuar të largohen, pavarësisht situatës së krijuar.

Aktualisht, forcat në terren vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit. Ndërhyrja po kryhet si nga toka, ashtu edhe nga ajri, me qëllim frenimin e përhapjes së flakëve dhe mbrojtjen e banesave, banorëve dhe gjësë së gjallë.

Situata vijon të monitorohet nga autoritetet, ndërsa puna për shuarjen e zjarrit pritet të vijojë deri në neutralizimin e plotë të vatrave.