SPORT, 12 Mars 2020, 11:55

Koronavirusi/ Përfaqësues të OBSH-së kontaktojnë UEFA-n, Euro 2020 drejt anulimit

Koronavirusi/ Përfaqësues të OBSH-së kontaktojnë


UEFA po tenton të shpëtojë Euro 2020 me synimin për të konfirmuar zhvillimin e turneut më të rëndësishëm europian sipas datave të përcaktuara në kalendar.

Por situata globale e lidhur me emergjencën e përhapjes së virusit Covid-19 rrezikon të minojë gjithçka. Ose më e pakta të ndryshojë planet e qeverisë europiane të futbollit. Situata bëhet më e vështirë për UEFA-n, pas ndërhyrjes së Organizatës Botërore të Shëndetësisë që tani e konsideron Coronavirus një pandemi.

Ky alarm ka bërë që përfaqësues të OBSH të kontaktojnë UEFA-n për të mësuar planet e saj.

Një tjetër fakt që komplikon zhvillimin e Euro 2020 sipas programit ka të bëjë me mënyrën se si do të organizohet ky kompeticion, për herë të parë në histori në 12 shtete.

Një problem i madh, duke parë që Covid-19 tashmë është përhapur thuajse në të gjithë vendet e kontinentit të vjetër.

Kësaj i shtohen edhe kalendari i Europa League që ka ndryshuar për shkak të shtyrjes së disa ndeshjeve, ndërsa me shumë mundësi kjo pritet të ndodhë edhe me sfidat e Champions League.