AKTUALITET, 8 Dhjetor 2020, 13:24

Komiteti i Ekspertëve: Tirana, Gjirokastra e Lezha më të prekurat nga COVID-19

Komiteti i Ekspertëve: Tirana, Gjirokastra e Lezha më të prekurat

Komiteti i Ekspertëve ka informuar sot për situatën në vend nga COVID-19.

Drejtoresha e ISHP Albana Fico tha se incidenca dy javore 356 raste për 100 mijë banorë, shifër më e ulët se vendet e rajonit dhe më e ulët se mesatarja e vendeve të BE.

“Dy prefekturat që kanë incidencë më të lartë, vijojnë të jenë Tirana, e ndjekur nga Gjirokastra dhe Lezha. Grupmoshat e prekura 55-64 vjeç, ndjekur nga 65-75 vjeç.

Vihet re një qëndrueshmëri e pacientëve që kanë nevojë për trajtim spitalor.

Ka një rritje të lehtë të rasteve që kanë nevojë për terapi intensive. Përqindja e numrit të humbjes së jetëve në raport me numrin e të infektuarve mbetet në 2.1 %”, deklaroi Fico.

Ndërkohë kryetarja e komitetit Mira Rakacolli tha se do të shihet për një javë nëse do duhet të merren masa të tjera për pandeminë.

“Gjendja mbetet e qëndrueshme dhe do na duhet dhe një javë tjetër për të parë nëse ka këtë qëndrueshmëri dhe do të shikojmë nëse do kemi nevojë për masa të tjera”, tha ajo.