TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se projektndryshimet në Kodin e Procedurës Penale synojnë të vendosin përgjegjësi individuale për çdo shkelje të të drejtave gjatë procedurave, duke theksuar se provat e marra në kundërshtim me ligjin nuk duhet të përdoren.
Rama nënvizoi gjithashtu se paketa nuk prek kompetencat e institucioneve të drejtësisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, por synon të forcojë kontrollin mbi mënyrën se si ushtrohen këto kompetenca.
“Shkelja e të drejtave ka pasoja. Prova e marrë në shkelje të ligjit nuk mund të përdoret. Përgjegjësia nuk mund të mbetet më pa emër. Gjyqtari që kufizon lirinë pa arsyetim, prokurori apo oficeri që përhap informacionin e mbrojtur, punonjësi që nuk regjistron marrjen në pyetje dhe oficeri që abuzon me urgjencën duhet të përgjigjen personalisht”, u shpreh kryeministri.
Sipas tij, përgjegjësia për shkeljen e ligjit nuk zhduket edhe në rast se personi ndaj të cilit zhvillohet procedimi shpallet përfundimisht fajtor.
“Shkelja mbetet shkelje edhe nëse në fund personi dënohet”, tha Rama.
Kryeministri sqaroi gjithashtu se paketa e garancive procedurale nuk prek kompetencat e institucioneve të drejtësisë dhe as shtyllat e Reformës në Drejtësi.
“Kjo paketë nuk prek asnjë shtyllë të Reformës në Drejtësi, nuk i heq prokurorisë asnjë kompetencë për të përgjuar, hetuar, kontrolluar, sekuestruar apo bashkëpunuar me ndërkombëtarët. Ajo ndryshon mënyrën se si ushtrohen këto kompetenca dhe forcon kontrollin e gjykatës mbi to”, deklaroi ai.
Rama theksoi se për veprat e rënda penale, përfshirë korrupsionin, krimin e organizuar, terrorizmin, trafikun, krimet me armë apo dhunë të rëndë, do të vijojnë të ruhen regjime të posaçme.
“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk duhet të zbutet asesi. Sa më e pavarur të jetë drejtësia, aq më e lartë duhet të jetë cilësia e arsyetimit të saj dhe aq më i rreptë respektimi i kufijve që i vendos ligji”, tha Rama.
Duke iu referuar Këshillit të Evropës, kryeministri tha se zbatimi i këtyre garancive kërkon një sistem drejtësie të pajisur me burimet e nevojshme njerëzore, teknike dhe profesionale.
“Këshilli i Evropës na i ka lënë të shkruar se pesha e këtyre garancive bie mbi një gjyqësor, prokurori dhe polici gjyqësore që kanë kufizime në njerëz, pajisje dhe ekspertizë”, u shpreh ai.
Rama e cilësoi këtë çështje si një sfidë për dinjitetin kombëtar, duke deklaruar se Shqipëria nuk duhet të vijojë të renditet në mënyrë negative në raport me vendet e tjera europiane.
“Ekzekutivi në këtë sfidë, të cilën unë e konsideroj sfidë për dinjitet kombëtar, është cenim i dinjitetit kombëtar që Shqipëria të figurojë si delja e zezë e Europës dhe një dele e zezë që duket dy herë më larg se të gjithë të tjerët.
Unë e konsideroj një sfidë të përbashkët ku ekzekutivi ka përgjegjësinë e vetë që kjo sfidë të fitohet. Ne do t’i vëmë në dispozicion paketës të gjithë atë që kërkohet prej nesh, në mënyrë që kushtet për zbatimin e saj të jenë optimale”, përfundoi Rama.