AKTUALITET, 30 September 2026, 11:49

Rama: Burgu do të jetë masa e fundit! ‘Arresti në burg’ përjashtohet për veprat me dënim deri në 5 vite

Kryeministri Edi Rama deklaroi se arresti me burg duhet të jetë alternativa e fundit. Sipas tij, për veprat penale që parashikojnë dënim maksimal nën 5 vjet nuk do të caktohet më arrest me burg, ndërsa gjykata duhet të shqyrtojë fillimisht masat më të buta dhe arrestin në shtëpi.

Kryeministri Edi Rama prezantoi ndryshimet e propozuara për masat e sigurisë në Kodin e Procedurës Penale, duke deklaruar se arresti me burg duhet të jetë alternativa e fundit. Sipas tij, për veprat penale që parashikojnë dënim maksimal nën 5 vjet nuk do të caktohet më arrest me burg, ndërsa gjykata duhet të shqyrtojë fillimisht masat më të buta dhe arrestin në shtëpi.

“Procesi penal duhet të nisë nga zona e lirisë dhe jo nga burgu si zanafillë. Gjykata duhet të nisë nga liria, të shqyrtojë masat më të buta, të vlerësojë arrestin në shtëpi dhe të arrijë te burgu vetëm kur çdo alternativë tjetër është e pamjaftueshme. Për veprat me dënim maksimal nën 5 vjet, nuk do të caktohet më arrest me burg.

As heshtja e personit, as mospranimi i akuzës s’do të përdoren më si provë rrezikshmërie. Rreziku duhet të jetë konkret. Gjykata duhet të bëjë vlerësimin e pavarur dhe, nëse kopjon argumentet e prokurorit, vendimi bëhet i pavlefshëm dhe lind përgjegjësia disiplinore e gjykatësit. Sa herë caktohet arrestimi, gjykata duhet të vlerësojë edhe garancinë pasurore. Prokurori duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet e masës vazhdojnë të ekzistojnë dhe t’i argumentojë ato”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama tha se paketa e re e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale synon t’i japë më shumë ekuilibër sistemit të drejtësisë dhe të forcojë prezumimin e pafajësisë.

“10 vjet më parë i dorëzuam gjyqësorit shpatën e ndëshkimit, që për 100 vjet kishte qëndruar në dorën e pushtetit politik. Sot duam të bëjmë një hap tjetër, më modest në përmasa. Duam t’i japim më shumë ekuilibër peshores së drejtësisë, në mënyrë që pushteti gjyqësor të mos bëjë ligjin mbi drejtësinë, por drejtësia të jetë fuqia e barazisë së ligjit para të gjithëve. Ky është thelbi i paketës së re që prezantojmë sot. Pas miratimit të Kodit të Procedurës Penale në 1995 dhe ndryshimeve të reformës në drejtësi, kjo është ndërhyrja e parë që trajton në mënyrë të plotë prezumimin e pafajësisë në procesin penal", tha Rama.