TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Trishtuese! Anila Thomai, një mjeke e përgjithshme me origjinë shqiptare, në Itali, ka ndërruar jetë në moshën 58 vjeçare si pasojë e një sëmundje të rëndë. Lajmi i trishtë ka prekur familjarë, të njohur dhe gjithë komunitetin e qytetit të Trevisos në vendin fqinj.
Për më shumë se njëzet vjet, ajo u shërbeu pacientëve të shumtë në klinikën e saj në Viale Burchiellati, duke u bërë një pikë referimi e palëkundur për shumë familje italiane dhe shqiptare.
Ajo ushtronte zyrtarisht detyrën e mjekes së përgjithshme pranë spitalit USL 2 që nga viti 2005 dhe vlerësohej shumë për gatishmërinë, vëmendjen dhe kujdesin që u kushtonte pacientëve të saj.
Mediat në vendin fqinj raportojnë se Anila Thomai vazhdoi të punonte edhe gjatë kohës që ishte e sëmurë, për aq kohë sa ia lejonte gjendja shëndetësore.
"Humbja e saj e parakohshme na ka lënë një dhembje të madhe e një boshllëk që nuk e thua dot me fjalë. Pozitiviteti, mirësia e dashuria që e karakterizonte do tē na shoqërojë gjithë jetës e do të mbetesh në zemrat tona e paharruar gjithnjë", shkruan kunata e saj.
Lajmi për ndarjen e saj nga jeta lë një boshllëk të madh te pacientët, kolegët dhe familjet, të cilët ndër vite gjetën tek ajo jo vetëm një profesioniste, por edhe një njeri që dinte të dëgjonte vërtet dhe të ofronte mbështetje.
Lamtumira e fundit Anila Thomait do t'i jepet të mërkurën, në orën 14:30, në Katedralen e Trevisos.
"Ngushëllimet tona të sinqerta familjes së mjekes Dr. Anila THOMAI TOLE, bashkëshortit Artan, dy fëmijëve të saj Darios e Gretës, motrave biologjike Mirandës dhe Esmeraldës... e paharruar do jetë emri dhe humanizmi i saj, për mbi 20 vite e të gjitha kontributet njerëzore", shkruan një qytetar.