AKTUALITET, 29 July 2026, 12:42

Këshilli Bashkiak i Tiranës miraton disa vendime në mbështetje të familjeve në nevojë, Vjero: Përfitojnë 216 familje

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi një sërë vendimesh me fokus mbështetjen sociale të familjeve në nevojë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e kryeqytetit.

Mbledhja u drejtua nga nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Vasilika Vjero, e cila prezantoi projektvendimin “Për miratimin e familjeve aplikuese që përfitojnë nga programi i bllok-ndihmës ekonomike deri në 6% nga fondi i kushtëzuar dhe nga buxheti i Bashkisë Tiranë, për periudhën 1-30 qershor 2026”.

Gjatë fjalës së saj, Vjero bëri të ditur se strukturat përgjegjëse për shërbimet sociale kanë përfunduar vlerësimin e aplikimeve dhe kanë shpallur përfituese 216 familje.

“Strukturat përgjegjëse për shërbimet sociale kanë vlerësuar si përfituese 216 familje në nevojë në bazë të vlerësimeve social-ekonomike që kanë mbërritur nga njësitë administrative. Nga këto, 136 familje do të trajtohen me fonde të buxhetit vendor, ndërsa 80 familje do të mbështeten nga fondi i kushtëzuar deri në masën 6%,” u shpreh Vjero.

Në të njëjtën mbledhje, Këshilli Bashkiak miratoi edhe projektvendimin për trajtimin me subvencion të qirasë për disa familje në nevojë që nuk kanë mundësi të përballojnë qiranë e tregut të lirë.

Po ashtu, u miratua projektvendimi për sistemimin e disa familjeve në banesat sociale me qira në zonën e Shkozës, si dhe projektvendimi për dhënien e ndihmës financiare për 15 subjekte, banesat e të cilëve kanë pësuar dëme si pasojë e zjarreve dhe përmbytjeve.

Vendimet e miratuara synojnë të forcojnë mbështetjen sociale për shtresat në nevojë, duke garantuar më shumë siguri dhe mbështetje për familjet që përballen me vështirësi ekonomike apo situata të shkaktuara nga fatkeqësitë.