AKTUALITET, 29 Nëntor 2017, 09:41

KESH i kthehet eksportit, do shesë 15 mijë MWh energji në pik por vetëm për dy ditë

KESH i kthehet eksportit, do shesë 15 mijë MWh energji në pik por

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare njoftoi se për dy ditët e fundit të nëntorit sot (29 nëntor) dhe 30 nëntor do të shesë energji në treg të lirë. Referuar dokumentetit të hapjes së ankandit bëhet me dije se profili i shitjes do të jetë në harkun kohor 06:00-23:00 për një sasi prej 15.3 mijë MWh.

Kjo është procedura e parë që Korporata zhvillon pas shumë kohësh si shitje në treg të lirë me kushtin e çmimit më të lartë të ofruar. Deri më tani ajo ka prodhuar në minimum për OSHEE madje edhe ka importuar vetem për të plotësuar nevojën në vend.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka përjetuar në 2017-n një nga vitet më te vështirë, ku humbja arriti 31 milionë euro në fund të shtatorit ndërkohë që detyrimet ndaj të tretëve janë kthyer në problem. Të ardhurat e saj kanë qenë me pikatore për shkak të verës së thatë dhe prodhimit minimal ndërkohë që në pak raste KESh është munduar që të bëjë optimizim duke shitur në pik me çmim më të shtrenjtë dhe duke blerë gjatë natës me çmime më të uleta. Kjo i ka mundësuar asaj të ardhura në disa mijëra  euro, por të pamjaftueshme për të balancuar situatën e vështirë.

KESh përdori gjithashtu për tre muaj rresht kredinë e Bankës Botërore prej 22.4 milionë euro për importe ndërkohë që për dhjetorin kompania publike e gjenerimit pritet që t’i sigurojë OSHEE mes 140-150 mijë MWh energji.

Importet e energjisë vetëm nga Shpërndarja kanë arritur në 207 milionë euro ndërkohë që këtu nuk përfshihet pjesa e përdorur nga kredia e BB që e bën faturën e importeve akoma edhe më të kripur.

TPZ.AL