AKTUALITET, 22 October 2026, 12:10

VIDEO/ Protestuesit i përgjigjen me pankartë ftesës së Ramës për dialog: Ai bën vetëm monolog

VIDEO/ Protestuesit i përgjigjen me pankartë ftesës së

Përmes një pankarte, protestuesit thonë se pavarësisht ftesës për dialog, kryeministri Rama pranon vetëm monolog.

“Edi Rama kërkon dialog? Dialog është vetëm një fjalë për të tjerët. Në realitet, Edi Rama nuk pranon dialogun, ai bën vetëm monolog!”, thuhet në pankartë.

Policia ka krijuar një kordon pranë Xhamisë së Namazgjasë, duke mos lejuar kalimin e grupit në rrugën që të çon drejt Parlamentit. Në këtë zonë është regjistruar edhe një incident, ku një protestuese me shami dhe maskë kirurgjikale ka shtyrë disa herë një efektiv policie dhe më pas e ka goditur me shuplakë në fytyrë.

Për shkak të kordonit, grupi i pedagogëve ka ndryshuar rrugën, duke zgjedhur të kalojë përmes bulevardit dhe Bashkisë së Tiranës për të mbërritur pranë protestuesve të mbledhur te Kuvendi. Marshimi i tyre vijon i qetë dhe pa incidente.

Ndërkohë, një tjetër kordon policor është vendosur mes ish-selisë së Partisë Demokratike dhe qendrës tregtare, në rrugën që të çon drejt Kalasë së Tiranës.

Në nisje të protestës para Politeknikut, pjesëmarrësit mbanin pankarta me mbishkrimet “Studentët nuk janë vetëm”, “Jemi me studentët” dhe “Mos prekni studentët”.

Një përfaqësuese e grupit të pedagogëve kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie kujdestare për përgatitjen e zgjedhjeve të lira. 

“E përsërisim: dorëheqjen e Ramës, krijimin e një qeverie kujdestare me mandat të qartë dhe garanci institucionale për të përgatitur zgjedhje të lira e të besueshme. Pas kësaj janë qytetarët ata që duhet të vendosin se kush do ta qeverisë Shqipërinë”, tha ajo.

Një ditë më parë, grupi i pedagogëve kishte njoftuar bojkotimin e mësimdhënies në universitetet publike deri në një njoftim të dytë.