SPORT, 14 August 2026, 20:05

Jeff Bezos bëhet bashkëpronar i Liverpoolit, ja kush është grupi i fuqishëm i investitorëve që bleu aksionet e klubit

Siç ishte paralajmëruar disa javë më parë, themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, sipërmarrës të tjerë të njohur, mes tyre edhe ish-themeluesi i Facebook, Eduardo Saverin, si dhe familja Mittal, kanë blerë së bashku një kuotë në minorancë të aksioneve të Liverpoolit nga kompania Fenway Sports Group (FSG), e cila mbetet aksionerja kryesore e klubit anglez.

Liverpooli ka dalë me një komunikatë zyrtare, përmes së cilës ka konfirmuar përfundimin e këtij transaksioni.

“Fenway Sports Group (FSG), një kompani globale e sportit, medias, argëtimit dhe pasurive të paluajtshme, bëri të ditur arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për shitjen e një kuote në minorancë të aksioneve të Liverpool FC te ‘1892 Holdings’, një konsorcium i drejtuar dhe menaxhuar nga Amit Bhatia, me investime nga Amit Bhatia dhe Mittal Family Trusts, K5 Sports, me Jeff Bezos si investitor kryesor në fondin K5 Sports, si dhe EE Capital”, thuhet në komunikatën e FSG.

“Investimi strategjik mbështet ambiciet për rritjen afatgjatë të Liverpoolit, duke bashkuar ekspertë që vijnë nga sektorë globalë të teknologjisë dhe investimit. Ky konsorcium do të punojë së bashku me FSG për të studiuar mundësitë që i japin vlerë objektivave të klubit, brenda dhe jashtë fushe. FSG do të vazhdojë të mbajë shumicën e aksioneve dhe kontrollin operativ të klubit.”

Pas arritjes së marrëveshjes, të gjitha palët kanë shfaqur kënaqësinë e tyre për këtë bashkëpunim të ri.

“Liverpooli gjithnjë është ndërtuar për të menduar përtej një sezoni të vetëm dhe duke marrë vendime që mbajnë parasysh interesat afatgjata të klubit”, tha presidenti i FSG, Mike Gordon.

“Kjo qasje vazhdon të ngjallë interes te investitorë të respektuar dhe drejtues kompanish nga e gjithë bota. Ndërsa vlerësonim këtë mundësi, u bë e qartë se Amit dhe konsorciumi kishin të njëjtën filozofi si ne në një afat të gjatë, si dhe mirënjohjen tonë për atë që e bën special Liverpoolin. Eksperienca dhe perspektiva e tyre do të plotësojnë bazën solide të ndërtuar tashmë dhe mezi presim që të punojmë së bashku”, shtoi Gordon.

Ndërkohë, Amit Bhatia, si lideri i konsorciumit “1892 Holdings”, foli në emër të grupit, duke shprehur respektin dhe admirimin e tij për FSG.

“Jemi shumë krenarë që investojmë te Liverpool Football Club dhe që e bëjmë këtë së bashku me FSG”, tha Amit Bhatia.

“Kemi respektin dhe admirimin maksimal për FSG si pronarë dhe për atë që ata kanë realizuar në Anfield. Është një privilegj për ne që të jemi partnerë të një klubi të këtij niveli. Po e bëjmë këtë investim sepse besojmë shumë te Liverpooli dhe udhëheqja e tij dhe mezi presim të mbështesim suksesin e vazhdueshëm të klubit në vitet që do të vijnë”, përfundoi Bhatia.