AKTUALITET, 10 September 2026, 15:28

Interes në rritje për Universitetin e Gjirokastrës, 300 studentë regjistrohen në fazën e parë

Gati 50 studentë më shumë se një vit më parë kanë zgjedhur këtë vit Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës. Faza e parë e regjistrimeve universitare ka përfunduar me rreth 300 studentë të regjistruar, ndërsa në të njëjtën fazë të një viti më parë numëroheshin rreth 250 regjistrime.

Rritja e interesit është vënë re në disa prej degëve të ofruara nga universiteti, ndërsa sipas rektorit të Universitetit “Eqrem Çabej”, Jaho Canaj, më të kërkuarat janë programet e ciklit dyvjeçar, Infermieria dhe Ekonomiku. Ndryshe paraqitet situata për degët që lidhen me mësuesinë, ku interesi vijon të jetë më i ulët. Sipas rektorit, një prej faktorëve që ndikon në këtë tendencë është edhe kriteri i mesatares, që kufizon numrin e maturantëve që mund të aplikojnë në këto programe.

Por universiteti pritet të zgjerojë ofertën akademike në vitin e ardhshëm. Një prej programeve që parashikohet të hapet është dega e Anglishtes, pas kërkesave të shumta të ardhura për këtë profil.
Sinkron Jaho Canaj rektor 

Interesi për këtë degë, sipas drejtuesve të universitetit, vjen kryesisht edhe nga shtetas të vendeve të treta, duke e parë Universitetin “Eqrem Çabej” jo vetëm si një institucion për studentët vendas, por edhe si një mundësi për tërheqjen e studentëve të huaj. Pas përfundimit të fazës së parë, universiteti vijon procesin e regjistrimeve, ndërsa pritshmëritë janë që numri i studentëve të rritet edhe më tej me përfundimin e fazave të tjera të aplikimit.