TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Hetimet për ekzekutimin e 35-vjeçarit shqiptar Ferdinant Hoti në Itali janë përqendruar te lëvizjet dhe kontaktet e tij të fundit, ndërsa karabinierët po përpiqen të zbulojnë vendin ku është kryer vrasja dhe personat që kanë marrë pjesë në zhdukjen e trupit.
Mediat italiane raportojnë se Hoti është ekzekutuar me një plumb në kokë, ndërsa dyshohet se krimi mund të jetë kryer në provincën e Venecias, ku ai jetonte. Hetuesit besojnë se 35-vjeçari nuk është vrarë në San Giorgio delle Pertiche, ku u gjet makina me trupin e tij, por është transportuar atje pas ekzekutimit.
Si u vra Ferdinant Hoti
Trupi i 35-vjeçarit u gjet mëngjesin e 8 shtatorit brenda një “Fiat Bravo” të zezë, të zhytur në lumin Tergola, në San Giorgio delle Pertiche, në provincën e Padovës. Hoti ishte futur në një qese të zezë, me duart e lidhura, ndërsa mbi trup ishin vendosur goma për ta rënduar. Makina ishte pa targa.
Nga autopsia rezultoi se shqiptari ishte qëlluar nga një distancë e afërt dhe kishte vdekur përpara se trupi të përfundonte në lumë. Sipas raportimeve të fundit të mediave italiane, ai është ekzekutuar me një plumb në kokë.
Hetuesit dyshojnë se pas vrasjes trupi është futur në makinë dhe është transportuar deri pranë lumit. Më pas autorët dyshohet se i kanë hequr targat automjetit dhe e kanë shtyrë atë në ujë për të fshehur trupin dhe gjurmët e krimit.
Dyshohet se kanë vepruar disa persona
Një nga çështjet që po përpiqen të sqarojnë karabinierët është se kur dhe nga cili drejtim mbërriti “Fiat Bravo” në San Giorgio delle Pertiche, sa persona ndodheshin në të dhe si janë larguar ata pasi makina përfundoi në lumë.
Sipas mediave italiane, hetuesit dyshojnë se e gjithë skema për fshehjen e trupit mund të mos jetë kryer nga një person i vetëm. Po verifikohet gjithashtu mundësia që autorët të kenë bërë më parë një ose disa kontrolle në zonë për të zgjedhur pikën ku do të hidhnin makinën. Vendi ku u gjet automjeti ndodhet mes rrugëve dytësore dhe nuk arrihet lehtë nga persona që nuk e njohin territorin.
200 kamera dhe 50 sisteme për leximin e targave
Një pjesë e rëndësishme e hetimit janë pamjet e kamerave të sigurisë. Karabinierët kanë sekuestruar regjistrimet nga San Giorgio delle Pertiche dhe zonat përreth, me synimin për të rindërtuar itinerarin se si mbërriti “Fiat Bravo” deri aty.
Sipas mediave italiane, në zonën e Camposampierese ndodhen rreth 200 kamera sigurie dhe 50 sisteme për leximin automatik të targave. Hetuesit shpresojnë që makina të jetë regjistruar nga të paktën një prej tyre gjatë rrugës drejt lumit.
Në shqyrtim janë edhe pamjet e një punishteje zdrukthëtarie pranë vendit ku u gjet automjeti. Një prej kamerave të saj filmon një pjesë të rrugës pikërisht pranë pikës ku makina përfundoi në ujë. Karabinierët po analizojnë edhe të dhënat e antenave të telefonisë celulare në zonë.
Pista e hakmarrjes, verifikohet lidhja me një atentat të korrikut
Përveç prishjes së pazareve të drogës, një tjetër pistë që po verifikohet lidhet me një atentat të ndodhur disa muaj më parë në Zianigo di Mirano. Mediat italiane shkruajnë se po shqyrtohet mundësia që Hoti të kishte lidhje me rrethin e personave të përfshirë në një atentat me armë zjarri të ndodhur natën mes 30 qershorit dhe 1 korrikut.
Në atë rast, një shtetas shqiptar u qëllua në shpatull teksa po kthehej në shtëpi së bashku me partneren. Dy persona, që dyshohej se ishin gjithashtu shqiptarë, e kishin pritur pranë banesës dhe njëri prej tyre e qëlloi.
Hetuesit po verifikojnë nëse ekzekutimi i Hotit mund të lidhet me atë ngjarje dhe nëse pas vrasjes mund të fshihet një hakmarrje. Megjithatë, deri tani autoritetet italiane nuk kanë gjetur prova që konfirmojnë një lidhje mes dy episodeve.