IDE, 5 Korrik 2026, 11:21

Arkivolucioni që varrosi paqen false

Arkivolucioni që varrosi paqen false

Ka momente kur një protestë nuk mbahet mend për fjalimet, për turmën apo për parullat. Mbahet mend për një objekt. Dje ai objekt ishte një arkivol, i vendosur te dera e Kryeministrisë.

Arkivoli nuk është simbol i dialogut. Nuk është metaforë e debatit politik. Nuk është as një rekuzitë teatrale që mund të shpjegohet me estetikën e protestës. Arkivoli është një mesazh. Simbolik është vetëm objekti prej druri. Mesazhi është krejt i drejtpërdrejtë: këtë punë e zgjidh vetëm vdekja.

Nuk e di sa të vërteta janë deklarimet e Taulant Ballës për autorësinë apo përkatësinë politike të atij arkivoli. Kjo është çështje faktesh që duhen provuar. Por logjika të çon te një përfundim i thjeshtë: një mesazh të tillë e jep ai grupim politik që shërbimet funerale zgjedh t’i organizojë te dera e Kryeministrisë. Arkivoli nuk shkon vetë aty.

Me shaka është thënë shpesh se, sa herë dilte PD-ja në protestë, “po të kishte një arkivol, do ta thyente Kryeministrinë”. Një humor i zi, i mbështetur te kujtesa e 14 shtatorit 1998, kur kufijtë mes protestës dhe dhunës u zhdukën krejtësisht. Ishte shaka, pikërisht sepse arkivoli nuk ishte bërë ende pjesë e repertorit politik.

Tani nuk është më shaka.

Pavarësisht kujt i përket politikisht ai arkivol, ai ka një pronar moral. Ai u bë pjesë e protestës dhe, si i tillë, është pronë e organizatorëve të saj. Nuk mund të mbash fjalime për paqe, ndërkohë që pranë podiumit ke vendosur një arkivol. Nuk mund të flasësh për qytetari, ndërsa skenografinë e ke ndërtuar mbi funeralin e kundërshtarit.

Që nga ai moment, çdo thirrje për paqe u paketua brenda atij arkivoli.

Kam pasur gjithmonë bindjen se revolucioni është fabrikë dhune. Ai nuk ushqehet me kompromis, por me zemërim. Nuk kërkon objektiva të arritshëm, sepse po të ishin të arritshëm do të zgjidheshin me politikë. Revolucioni jeton duke kërkuar të pamundurën, që pastaj ta justifikojë dhunën si mjetin e vetëm për ta arritur.

Shkalla e dhunës varet nga fuqia që ka turma. Dikush ka gurë, dikush ka molotovë, dikush ka tanke. Mjetet ndryshojnë. Logjika mbetet e njëjtë: nëse objektivi nuk arrihet me votë, duhet arritur me forcë. Nëse nuk arrihet as me forcë, revolucioni shpallet i tradhtuar ose i dështuar.

Prandaj arkivoli i djeshëm ishte më shumë sesa një mesazh kërcënues ndaj Edi Ramës. Ai ishte deklarata më e sinqertë e vetë revolucionit. Ishte pranimi se nga kjo pikë e tutje nuk ka më vend për paqe, as për kompromis, as për gjuhë politike.

Në atë arkivol nuk ishte shtrirë vetëm kundërshtari politik. Ishte shtrirë edhe alternativa paqësore.

Njëra palë mund të humbasë pushtetin. Tjetra mund të humbasë revolucionin. Por, pas atij momenti, dikush do të humbasë patjetër. Dhe kjo e shndërroi revolucionin në diçka tjetër.

Në një arkivolucion.

Një revolucion që marshon me arkivol në sup nuk premton jetë të re. Premton varrim. Nuk flet për të ardhmen, por për fundin. Nuk mobilizon qytetarët, por adhuruesit e katastrofës.

Dhe ndoshta kjo shpjegon pse ajo që u shpall si dita e reagimit mbarëkombëtar përfundoi si një ditë e largimit të madh të njerëzve normalë. Ata nuk panë më një protestë. Panë një funeral politik.

Shumica dërrmuese e njerëzve nuk dalin në shesh për të mbajtur arkivole. Ata dalin për të mbajtur pankarta, argumente, shpresa, kërkesa. Arkivoli nuk është mjet proteste për qytetarin e zakonshëm. Është rekuzitë e atyre që e kanë humbur besimin se politika mund të prodhojë zgjidhje.

Në fund, ai arkivol nuk varrosi vetëm paqen false, për të cilën flitej prej ditësh. Ai varrosi edhe pretendimin se kjo ishte një lëvizje paqësore.

Sepse askush nuk shkon në një protestë paqësore me një arkivol në sup.