IDE, 12 Qershor 2026, 20:34

“Gen Z”/ Brezi i ri shqiptar, më i zhvilluari që ka prodhuar ndonjëherë kjo shoqëri

“Gen Z”/ Brezi i ri shqiptar, më i zhvilluari që ka

Gen Z

Në vitet e fundit kam dëgjuar pothuajse çdo kritikë të mundshme për brezin e ri shqiptar. Janë dembelë. Janë të shpërqendruar. Nuk lexojnë. Nuk kanë ideale. Nuk sakrifikojnë. Nuk angazhohen. Nuk dinë çfarë duan.

Madje ndonjëherë flitet për ta me një përçmim që shkon përtej kritikës dhe ngjan me një karikaturim të një gjeneratë të tërë. Duke harruar që i kemi rritur ne! Sa herë që e dëgjoj këtë, më lind e njëjta pyetje: Po sikur problemi të mos jetë brezi i ri? Po sikur problemi të jetë mënyra si brezi ynë e sheh atë?

Përvoja ime, si në jetën profesionale ashtu edhe në jetën publike, më ka çuar në një përfundim krejt tjetër. Unë mendoj se brezi i ri shqiptar është ndoshta brezi më i zhvilluar, më mendjehapur, më kreativ dhe më i artikuluar që ka prodhuar ndonjëherë kjo shoqëri. Dhe po, sigurisht që është ndryshe nga brezat paraardhës. Por pikërisht aty qëndron forca e tij.

Ata kanë udhëtuar më shumë. Kanë lexuar më shumë botë sesa ne në moshën e tyre. Kanë kontakt të përditshëm me ide, kultura dhe modele që për brezat e mëparshëm ishin të paarritshme. Flasin gjuhë të huaja me një natyrshmëri që dikur do të na dukej e jashtëzakonshme. Kanë më pak paragjykime. Kanë më shumë ndjeshmëri ndaj padrejtësive. Dhe ndoshta më e rëndësishmja, kanë më pak frikë. Më pak frikë nga autoriteti. Më pak frikë nga stigma. Më pak frikë nga pushteti. Më pak frikë të thonë publikisht atë që mendojnë. Pikërisht këtë gjë po e tregojnë edhe në protestat e fundit.

Kam parë të rinj që artikulojnë argumente më mirë se shumë politikanë që mbajnë karrige në kuvend. Kam parë kreativitet në sloganet, videot dhe format e komunikimit të tyre. Kam parë guxim dhe pjekuri për t’u përballur me talljen, sulmet dhe etiketimet.

Kjo nuk do të thotë se janë të pagabueshëm. As se kanë gjithmonë të drejtë. Por do të thotë se minimalisht nuk meritojnë përçmimin me të cilin shpesh trajtohen.

Në fakt, kam përshtypjen se kritikat ndaj tyre flasin më shumë për frikërat e brezave të vjetër sesa për problemet e brezit të ri. Sepse çdo brez i ri sfidon mënyrën si brezi i vjetër e kupton botën. Dhe kjo është gjithmonë e pakëndshme.

Brezi i ri shqiptar nuk është perfekt. Por nuk është as apatiku, narcizisti, ciniku apo i humburi që shpesh përshkruhet në debatet publike. Ai është më i lirë. Më i guximshëm. Më pak i gatshëm të pranojë autoritetin thjesht sepse është autoritet. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse shqetëson kaq shumë disa njerëz.

Nëse Shqipëria do të ndryshojë ndonjëherë për mirë, nuk besoj se kjo do të vijë sepse brezat e rinj do të ngjajnë më shumë si ne. Besoj se do të vijë sepse ne do të mësojmë të shohim tek ata atë që shpesh nuk arrijmë ta pranojmë: se në shumë gjëra, ata tashmë janë më përpara se ne.
Mendoj se kritika ndaj Gen Z shpesh është një pasqyrë e ankthit të brezave më të vjetër për humbjen e monopolit mbi të vërtetën, moralin dhe autoritetin.

Tani edhe diçka tjetër për atë që mendoj gjithnjë e më shumë këto ditë protestash. Diçka që shpesh harrohet kur flasim për protestat është fakti që ne priremi t’i gjykojmë ato vetëm nga rezultati politik. A u rrëzua qeveria? A u tërhoq projekti? A ndryshoi ligji?

Por protestat prodhojnë edhe një efekt tjetër, më të heshtur dhe më afatgjatë. Ato ndryshojnë njerëzit që marrin pjesë në to. Dhe meqë po flasim për Gen Z, kam parë shumë të rinj në këto protesta që ndoshta po zbulojnë për herë të parë se qytetaria nuk është vetëm të ankohesh në rrjetet sociale. Është të dalësh, të takosh njerëz që nuk i njeh, të dëgjosh histori të ndryshme nga e jotja, të debatosh, të organizohesh, të marrësh përgjegjësi dhe të kuptosh se hapësira publike të përket edhe ty. Për shumë prej tyre kjo mund të jetë protesta e parë. Por përvoja e të qenit pjesë e diçkaje më të madhe se vetja lë gjurmë. Ajo krijon kujtime, lidhje, identitete dhe ndonjëherë edhe destinacione jetësore.

Ndoshta jo të gjithë do të vazhdojnë të jenë aktivistë dhe patjetër që jo të gjithë do të merren me politikë. Por shumë prej tyre do ta kujtojnë këtë moment si çastin kur kuptuan se nuk janë thjesht spektatorë të historisë së vendit të tyre por janë pjesë e bërjes së saj.

Mendoj se kjo lidhet shumë edhe me përvojën shqiptare pasi brezat e mëparëshëm dhe i joni u rritën me një raport shumë ambivalent me politikën: nga njëra anë frika e trashëguar nga diktatura, nga ana tjetër cinizmi i tranzicionit. Kurse këta të rinj po përjetojnë diçka tjetër. Ata po mësojnë se protesta nuk është domosdoshmërisht vetëm revolucion por është kryesisht pjesëmarrje. Edhe sikur protesta të mos arrijë të gjitha objektivat e saj politike, ajo mund të ketë prodhuar diçka shumë të rëndësishme: një brez që e ndjen veten më pak subjekt dhe më shumë qytetar.

Ndonjëherë protesta nuk ndryshon menjëherë sistemin. Por ndryshon marrëdhënien e individit me sistemin. Dhe kjo është mënyra si fillojnë ndryshimet e mëdha.